Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti ka deklaruar se publikimi i përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild” ka zero mundësi që të ndikojë në shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
“E shikoj si seria e saj, ‘u mbars mali dhe polli një mi’, e cila ka nisur prej dy vitesh. Nuk shikoj asgjë të re. Ka zero mundësi që të ndikojë për shtyrjen e zgjedhjeve. Një dekret i tillë është nul, pasi ne jemi në proces i cili është duke u përmbyllur”, tha Shameti.
I ftuar në “Repolitix”, deputeti u shpreh se në këto përgjime nuk ka asgjë të jashtëligjshme nga zyrtarët socialistë.
“Nuk shikoj asgjë të kundraligjshme nga asnjë funksionarët e PS të implikuar në këto përgjime. Problemi më i rëndësishëm është ligjor, në nxjerrjen e informacionit që është sekret hetimor. Në mënyrë kategorike jo. Gjithë komunikimi ka qenë super korrekt”, deklaroi Shameti.