Pak orë pasi u raportua në mediat e huaja se presidenti Donald Trump është infektuar me koronavirus së bashku me bashkëshorten e tij, vjen lajmi se gjendja e tij është përkeqësuar.
Një zëdhënës i tij tha më herët se gjendja e tij shëndetësore është mbajtur nën kontroll, por për fat të keq atij i është dashur që të transferohet në spital. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Trump është shtruar në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake “Walter Reed”.
“Ai ka shfaqur shenja lodhjeje, por ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore”, tha mjeku i Shtëpisë së Bardhë, në deklaratën e lëshuar nga sekretarja për shtyp, Kayleigh McEnany.
Sakaq, zonja e Parë, Melania Trump ndodhet e karantinuar në banesën e saj dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Gruaja e presidentit të SHBA-ve, ka vetëm kollë të lehtë dhe dhimbje koke.
Dyshohet se çifti Trump është infektuar nga këshilltarja e presidentit, Hope Hicks. Pjesa tjetër e familjes së presidentit ka rezultuar negative në testin për koronavirusin.
Lajmi jo i mirë për familjen Trump vjen pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve presidenciale, ku ai do të përballet me sfiduesin demokrat, Joe Biden. Ky i fundit ka kryer testin e COVID-19, dhe ka rezultuar negativ.