Franca mbetet destinacioni numër një në botë turistik, me më shumë se 89 milion vizitorë në vit. Por sektori i turizmit duket se do të marrë një goditje të fortë, pasi Franca pritet që të propozojë karantinim për të gjithë vizitorët që vijnë nga vendet e tjera.
Një nga masat që qeveria e Francës po mendon të marrë për të parandaluar koronavirusin, është karantinimi i detyrueshëm për rreth 14 ditë për vizitorët nga jashtë. Ligji pritet të paraqitet në Parlament këtë javë.
Nëse miratohet, ligji do të nënkuptonte se kushdo që mbërrin në Francë, do të izolohej edhe nëse nuk shfaqin simptoma të Covid-19. Lidhur me këtë cështje, ministri francez i shëndetësisë, Olivier Véran, tha se karantina do jetë e detyrueshme për këdo që shkon në Francë.
“Kjo karantinë do të vendoset për këdo që arrin në tokën franceze. Do të prekë kryesisht francezët, dhe ata që banojnë normalisht në Francë që kthehen në shtëpi nga jashtë”.