Ish-Presidenti i SHBA Donald Trump u shfaq të dielën si republikani dominues i vendit, me përpjekjen që partia të fitojë përsëri kontrollin e Kongresit vitin e ardhshëm dhe ndoshta të kandidojë vetë përsëri për presidencën në vitin 2024.
Ai mbajti të dielën pasdite një fjalim në Konferencën vjetore të Veprimit Politik Konservator në Orlando të Floridës, ku ishin mbledhur qindra republikanë, ndër më të flaktët e kësaj partie. Ky ishte fjalimi i tij i parë i rëndësishëm pas humbjes së presidencës ndaj demokratit Joe Biden.
“Qëndroj sot para jush për të deklaruar se rrugëtimi i jashtëzakonshëm që nisëm së bashku katër vjet më parë është shumë larg nga të qënit i përfunduar”, tha zoti Trump.
“Jemi mbledhur këtë pasdite për të folur për të ardhmen – të ardhmen e lëvizjes sonë, të ardhmen e partisë tonë dhe të ardhmen e vendit tonë të dashur,” tha ai.
Por zoti Trump gjithashtu afirmoi synimin e tij si figura mbizotëruese e partisë, duke e lënë të hapur alternativën për të kandiduar përsëri pas tre vjetësh për një mandat tjetër katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.
“Ku i dihet. Unë mund të vendos t’i mposht demokratët për herë të tretë,” tha ish-presidenti nën brohoritjet e të pranishmëve, duke përsëritur pretendimin e pa mbështetur në fakte se i kishte fituar zgjedhjet e nëntorit 2020.
Ai argumentoi se partia është “e bashkuar”, pavarësisht disa ligjvënësve republikanë që thonë se ata duhet ta anashkalojnë ish-presidentin, mandati i vetëm i të cilit përfundoi me protesta të pafrytshme zgjedhore dhe me trazirat e 6 janarit në Kapitol.
Ish-presidenti tha se ai nuk ka në plan të krijojë një parti të re për të garuar me Partinë Republikane dhe shtoi se njoftime të tilla janë “lajme të rreme”.
BETEJA BRENDA REPUBLIKANËVE
Një betejë po zhvillohet brenda Partisë Republikane, ku disa nga figurat e njohura si udhëheqësi i pakicës së Senatit Mitch McConnell duan që ta anashkalojnë zotin Trump, ndërsa të tjerë, si aleati i ish-presidentit, Senatori Lindsey Graham, besojnë se e ardhmja e partisë varet nga energjia e bazës konservatore pro-Trump.
Rezultatet e një sondazhi të kryer me pjesëmarrësit në konferencë, i dhanë zotit Trump një mbështetje të fortë me 55 përqind, duke thënë se do të votonin për të në garën e emërimit presidencial republikan në vitin 2024. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis doli në vendin e dytë me 21 përqind.
Pa zotin Trump, DeSantis udhëhiqte me 43 përqind mes kandidatëve të tjerë, të cilët mëron shumë më pak vota.
Por jo të gjithë e mbështetën zotin Trump. Njëra pyetje e anketës ishte nëse Trump duhet të kandidojë përsëri në vitin 2024 dhe rezultati ishte i përzier: 68 përqind thanë se ai duhej të kandidonte ndërsa 32 përqind ishin kundër ose pa ndonjë opinion.
Deklaratat e zotit Trump në konferencë të paktën shërbejnë për të frenuar ndonjë kandidat tjetër të mundshëm republikan për 2024-ën, si senatorët Marco Rubio, Ted Cruz dhe Tom Cotton, ish-ambasadoren në Kombet e Bashkuara Nikki Haley ose të tjerë që aspirojnë presidencën.
E ardhmja e zotit Trump si figura mbizotëruese republikane e vendit mbetet një pyetje e hapur. Ai është i vetmi president në historinë e SHBA ndaj të cilit u ngritën dy herë akuza për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe që u shpall i pafajshëm të dyja herët. Është gjithashtu presidenti i parë në 90 vjet që humbi kontrollin politik të Shtëpisë së Bardhë dhe të dy dhomave të Kongresit në një mandat të vetëm në detyrë.
Konservatorët në konferencën tre-ditore e kanë brohoritur përmendjen e emrit të tij. Shumë prej tyre madje kanë pozuar për foto me një statujë të madhe të artë të fytyrës së tij që ishte skalitur në Meksikë dhe që shëtiti nëpër sallën e konferencës.
Në fillim të shkurtit, Senati votoi 57-43, me shtatë republikanë që iu bashkuan të 50 demokratëve, për ta shpallur fajtor zotin Trump për nxitjen e një turme prej qindra mbështetësve që sulmuan Kapitolin, kur ligjvënësit po çertifikonin humbjen e tij në zgjedhje. Megjithatë, Senati nuk arriti shumicën e dy të tretave të nevojshme për shpalljen e tij fajtor.
Trazira la pesë të vdekur, duke përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit. Më shumë se 200 protestues janë arrestuar ndërsa hetimi vazhdon.
Konferenca republikane ishte një nga tubimet vjetore më të spikatura për konservatorët dhe erdhi në një kohë debatesh në rritje brenda Partisë Republikane nëse duhet apo jo që të distancohet nga ish-presidenti apo të vazhdojnë ta lidhë të ardhmen e saj me të.
Zoti Trump ka sinjalizuar se do të përpiqet të dëmtojë imazhin politik të 10 republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që votuan për ta hequr atë në janar, një javë para se ai të linte detyrën dhe shtatë të tjerëve në Senat që u shprehën pro shpalljes së tij fajtor.
Senatori Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës republikane të Senatit, votoi për ta shfajësuar zotin Trump në gjyq, por më pas e kritikoi ashpër ish-presidentin për rolin e tij në nxitjen e sulmit në Kapitol, ku protestuesit thyen dritaret, shkatërruan zyrat e Kongresit dhe u përleshën me policinë.
Senatori McConnell tha se zoti Trump ishte “praktikisht dhe moralisht përgjegjës për provokimin e ngjarjeve” që çuan në trazirat në Kapitol.
Trump u kundërpërgjigj, duke e portretizuar senatorin si një politikan të zellshëm që nuk i qesh buza kurrë dhe tha nëse senatorët republikanë do të qëndrojnë me zotin McConnell, “ata nuk do të fitojnë dot përsëri”.
Sidoqoftë, senatori McConnell tha javën e kaluar se do të mbështeste zotin Trump për presidencën nëse votuesit republikanë e emërojnë atë përsëri në vitin 2024.
I pyetur nëse Trump ende kontrollon Partinë Republikane, senatori Rick Scott nga Florida tha në emisionin “Fox News Sunday”, se kjo është “parti e votuesve”. Por ai shtoi se beson që zoti Trump do “të jetë i dobishëm” në të ardhmen e afërt.
“Ne jemi në anën e duhur të çështjeve, ndërsa demokratët janë në anën e gabuar” tha senatori Scott.
Një ligjvënës republikan që votoi për ta shpallur fajtor zotin Trump, senatori Bill Cassidy i Luizianës, tha për CNN se nëse republikanët rimarrin Shtëpinë e Bardhë pas katër vjetësh, “kjo do të ndodhë sepse ne flasim për çështjet, jo duke vendosur një person (Trump ) në piedestal.”
“Konferenca e tanishme nuk përfaqëson të gjithë Partinë Republikane,” tha ai. “Nëse ne kthejmë në idhull një njeri të vetëm atëherë do të humbasim.” “Unë nuk mendoj se ai do të jetë i emëruari ynë,” tha senatori. “Ne kemi nevojë për një njeri që punon për të gjithë.”
SULME KUNDËR PRESIDENCËS BIDEN
Fjalimi i zotit Trump përfshinte sulme kundër Presidentit Biden, në përpjekje për t’u pozicionuar si kritiku kryesor i presidentit të ri, në çështje të tilla si imigracioni dhe siguria përgjatë kufirit të SHBA me Meksikën apo rihapja e ngadaltë e shkollave të mbyllura për shkak të pandemisë.
“Të gjithë e dinim që administrata Biden do të ishte e keqe – por askush nga ne nuk e imagjinonte se sa e keqe do të ishte dhe sa larg do të shkonte”, tha ish-Presidenti Trump. “Joe Biden ka pasur muajin e parë më katastrofik se sa çdo president në historinë moderne,” tha ai.
Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se nuk do t’i kushtojë vemendje fjalimit.
“Fokusi ynë sigurisht nuk është në atë që thotë Presidenti Trump” në konferencë, u tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki javën e kaluar gazetarëve.
Sondazhet e hershme kombëtare tregojnë se votuesit i japin miratim të gjerë muajit të parë të zotit Biden si president, duke përfshirë edhe disa republikanë. Por ish-Presidenti Trump, edhe nëse refuzohet gjerësisht nga demokratët dhe një shumicë e të pavarurve, mbetet mjaft popullor mes shumë votuesve republikanë./VOA/