Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim pune me përfaqësues të Shoqatës “Durrësi Autokton”.
Kreu i Shtetit u njoh me përpjekjet e kësaj shoqate për të ndalur masakrën urbane dhe shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë historike, arkeologjike dhe kulturore të qytetit bregdetar.
Përfaqësuesit e Shoqatës “Durrësi Autokton” kërkuan nga Presidenti Meta t’i mbështesë në aktivitetin e tyre dhe morën prej tij mbështetje të plotë për të gjitha nismat për mbrojtjen e Durrësit nga vendimmarrjet arbitrare e të pakonsultura me komunitetin lokal.
Ilir Meta: ”Më 25 prill populli vendos shenjtërinë e votës dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për 100 vitet që do vijnë. Në Kushtetutë thuhet qartë: “Sovraniteti i përket popullit në Republikën e Shqipërisë. Sovrani flet përmes votës së lirë.”
Ndaj kushdo, që përpiqet të vërë dorë mbi votën e lirë praktikisht ka provokuar sovranin dhe duhet të presë të gjitha pasojat prej tij. Unë jam këtu për t’i dhënë një mesazh edhe të gjithë shoqërisë civile të bashkëpunojë dhe të angazhohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të monitorojnë dhe t’iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të votojnë, sepse kjo është shumë e rëndësishme.”