Një shkencëtar turko-amerikan, Serkan Golge, i cili është mbajtur 3 vite në izolim nën akuza që lidhen me terrorizmin, u lirua nga një burg në Turqi.
Mësohet se lirimi i tij ka ardhur pas një bisede telefonike zhvilluar midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Shpjegim zyrtar për lirimin e 40-vjeçarit nuk u dha, ndërsa Uashingtoni i ka kërkuar vazhdimisht Turqisë të lirojë Golgen.
Golgen, i cili ka punuar për agjencinë hapësinore të Shteteve të Bashkuara NASA, është arrestuar në vitin 2016, teksa ka qenë për pushime në Turqi. Arrestimi ka pasuar përpjekjen e ushtrisë turke për grusht shteti kundër Erdoganit.
Ai është akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë terroriste dhe është dënuar në shkurt të vitit 2018 me shtatë vjet e gjysmë burgim. Dënimi i tij është reduktuar në pesë vjet pas një apeli.