Presidenti i SHBA Donald Trump përgjatë një deklarate për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, theksoi se asnjë amerikan nuk është plagosur nga sulmet e Iranit në dy baza ushtarake amerikane.
“Asnjë amerikan nuk është plagosur nga bombardimet e Iranit. Asnjë jetë amerikane ose irakiane nuk humbi për shkak të masave paraprake të shpërndarjes së forcave dhe të një sistemi paralajmërimi të hershëm që funksionoi shumë mirë. Të gjithë ushtarët tanë janë të sigurt dhe në bazën tonë ushtarake pati vetëm dëme minimale. Forcat tona amerikane janë të përgatitura për gjithçka. Fakti që ne kemi ushtri dhe pajisje të mrekullueshme, nuk nënkupton se na duhet t’i përdorim. Ne nuk duam t’i përdorim ato. Fuqia amerikane, si ushtarake ashtu edhe ajo ekonomike janë parandalueset më të mira”, ka deklaruar Trump.
Ky i fundit po ashtu pohoi se do të vendosë sanksione të reja kundër Iranit për të vazhduar fushatën me presion maksimal kundër këtij shteti.
Konferenca e Presidentit është zhvilluar pasi Irani ka sulmuar dy bazat amerikane, Irbil dhe Al Asad, në Irak, në orët e para të mëngjesit të së martës.
Kujtojmë se Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i ka përshkruar sulmet me raketa si “shuplakë në fytyrë” për SHBA-në dhe ka bërë thirrje për dhënie fund të prezencës amerikane në Lindjen e Mesme.