Në 1 maj hyri në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2018. Por, për dy vite me radhë është përdorur lista e barnave të 2016-ës. Kështu, në vitin 2017 nuk hyri asnjë barnë e re e rimbursueshme. Deputeti demokrat Tritan Shehu në një intervistë për Tirana Today thotë se mos hartimi i listës së 2017-ës solli humbje financiare në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
“Kjo gjë i krijoi një humbje financiare Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me një vlerë që nga 11 deri në 15% të vlerës totale. Po ashtu në 2017, nuk u shtua asnjë medikament i ri qoftë si alternativë, po ashtu as si principat aktiv. Lista e çmimeve dhe lejet e importit të medikamenteve prej vitesh nuk shpallen, duke bërë një shkelje flagrante të ligjit.
Një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht ka qenë urdhri i kufizimeve, i cili shkatërroi plotësisht listën e rimbursimit të medikamenteve. Urdhri i kufizimit mund të ketë ulur rreth 20-25% të barnave të rimbursuara.”
Në listën e re të vitit 2018 janë shtuar 36 barna të reja, ku vetëm 16 prej tyre janë principe aktive dhe 20 të tjera janë alternative. Shehu thotë për Tirana Today se barnat të cilat vijnë në Shqipëri dhe janë të rimbursuara, janë të pasigurta pasi vijnë nga vende me origjinë të dyshimtë.
“Kjo është një politikë e cila lidhet me grupet klienteliste, me interesa dhe krijim monopolesh në treg, të medikamenteve nga vende të origjinës jo të sigurt.
Heqja nga ligji e disa viteve më parë e një klauzole, ku thuhej se në Shqipëri nuk mund të qarkullojnë medikamente të cilat nuk përdoren në vende të BE apo në një numër të vendeve të sigurisë së lartë; hapi një derë të madhe që dëmtoi sigurinë mjekësore në vend.
Një medikament që vinte për talasemikët ishte nga një kompani shumë e njohur botërore dhe në mënyrë të menjëhershme hiqet si patentë. Dhe në vend të saj futet një tjetër medikament, i cili nuk qarkullon në vendet e Bashkimit Evropian. Kërkohet të zëvendësohen medikamente që janë të kontrolluara nga Food and Drug Administration apo European Medicines Agency, me medikamente që janë nga vende të cilat nuk certifikohen prej tyre.
Sot në botë qarkullojnë rreth 100 miliard medikamente të falsifikuara, jashtë standardit, të cilat padyshim që kërkojnë të gjejnë tregje të pasigurta dhe ku kontrolli është i dobët, si Shqipëria. Ka një ulje të madhe të numrit të medikamenteve të certifikuara prej tyre, veçanërisht alternativat e para.
Marzhi i kontrollit të brendshëm është shumë i dobët, ndaj është më shumë se e nevojshme të pranohen medikamente që janë certifikuar vetëm nga EMA apo nga FDA.”
Edhe pse shefat e shërbimeve në QSUT përcaktojnë se cilat barna janë më efektive, ata nuk u pyetën nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, për listën e 2018-ës.
“Qoftë kur u bë lista, si edhe në kohën kur u bënë kufizimet që e masakruan listën, specialistët, shefat e klinikave nuk janë pyetur. Ato janë bërë në mënyrë arbitrare në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i cili sot është vetëm një shtojcë e Ministrisë së Shëndetësisë, asgjë më shumë. Ka ardhur momenti që duhet të mendojmë për diçka tjetër. Duhet të heqim monopolin e blerësit të vetëm, nuk mund të ekzistojë më, qoftë ky publik siç është Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Duhet detyrimisht të krijojmë konkurrencën e blerësve, të hapim gamën e sigurimeve shëndetësore duke krijuar tregun e sigurimeve shëndetësore në Shqipëri.”
Shehu ngre problemin e mungesës së medikamenteve në QSUT, sipas së cilit janë duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve, si edhe rrisin koston e tyre të mjekimit.
“Në spitale ka probleme të mëdha me medikamentet shumë të rëndësishme. Do t’iu jap dy shembuj. Në një vend si Shqipëria me 3 milion banorë, duhet të ketë një financim për të mbuluar vetëm mjekimin bazë me preparate, jo i personalizuar i cili është shumë i shtrenjtë. Teksa duhen rreth 12 milion euro në vit, buxheti i shtetit ka rreth 5.2 milion euro në vit. Pra, mbulon vetëm 45% të nevojave.
Ndërkohë, radioterapia te ne kryhet nga një akselerator linear në QSUT dhe nga një që është në neurokirurgji. Të dyja bashkë mbulojnë vetëm rreth 30% të nevojave të vendit. Por, si do të mjekohen të gjithë?!”-përfundon Shehu. TIRANA TODAY