Partitë politike kryesore nisin sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Këtë herë fushata elektorale do të mbahet në kushtet e pandemisë dhe ekspertët e Komitetit Teknik vendosën që të ndalohen edhe grumbullimet elektorale.
E para që hap sot fushatën do të jetë Partia Socialiste, në orën 17:00 në sheshin Skënderbej, dhe ka nisur dhe puna për ndërtimin e skenës.
Ndërkohë që vetëm gjysmë orë më vonë do të hapë fushatën koalicioni opozitar. Partia Demokratike me aleatët ka vendosur që të mbajë ceremoninë në sheshin ‘Nënë Tereza’.
Pritet që ky shesh të mbushet me karrige, ku do të qëndrojnë në distancë kandidatët për deputetë, për të respektuar kështu masat anti-covid.