Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se është padrejtësi që Bashkimi Evropian nuk liberalizon vizat me Kosovën.
Sipas tij, Perëndimi ka rënë në lajthitje.
Teksa foli për raportet e Kosovës me ndërkombëtarët, Thaçi veçoi SHBA-të, duke thënë se kanë rol të pazëvendësueshëm dhe se kurrë nuk do ta cenonin shtetin e Kosovës.
“BE ka bërë një punë të shkëlqyer në Kosovë, edhe pse është padrejtësi mos liberalizimi i vizave. Roli i SHBA për Kosovën është i pazëvendësueshëm, është historik dhe kështu do të vazhdojë. Ka qenë një mbështetje unike. Synimi i raportit të Dik Martin ka qenë cënimi i pavarësisë së Kosovës dhe jam i bindur edhe rishikimi i historisë. Perëndimi ka rënë në lajthitje nga raporti i Dik Martin, që ka qenë orkestrim i Serbisë dhe Rusisë, sepse akuzat ndaj këtij raporti janë më të pakta drejt luftës dhe më shumë drejt SHBA dhe Shqipërisë.
Unë kam negociuar mbi 8 vite me BE dhe e ardhmja e Kosovës është padyshim në Evropë. Por, BE duhet të marrë vendim për liberalizimin e vizave. Ndërsa SHBA nuk e cenojnë shtetin e Kosovës kurrë. Pa SHBA nuk do të ndodhte edhe njohja nga Izraeli. Kam negociuar për 12 vite, por ishte e pamundur. Kjo ndodhi drejtpërdrejt me involvimin e Presidentit Trump. Pika për njohje reciproke në marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë nuk është hequr nga SHBA, por ka qenë paaftësi e negociatorëve”, tha Thaçi në ‘Real Story’.