Një vit pas tërmetit, shumica e të dëmtuarve ende presin që shtëpitë e dëmtuara t’ua rindërtojë ose t’ua riparojë shteti. Dhe, akoma sot, shumica dërrmuese e shqiptarëve, nuk i sigurojnë pronat.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 9-mujorin e këtij viti numri i kontratave të sigurimit të dëmeve në pronë është në nivele të përafërta me vitin e kaluar, me një rritje modeste prej rreth 2%. Numri i kontratave të sigurimit të pronës është më pak se 35 mijë, që në pjesën më të madhe iu takojnë pronave të lëna si kolateral për kreditë bankare. Në shumicën e rasteve, sigurimi i pronës bëhet vetëm në vlerën e kredisë bankare dhe jo për të gjithë vlerën e pronës. Ndaj, edhe këto sigurime mbrojnë më shumë bankat, sesa pronarët e pasurisë së paluajtshme.
Për 9 muajt e parë këtij viti, shqiptarët kanë shpenzuar rreth 10 milionë euro për sigurimin e dëmtimeve në pronë. Ndërsa vërehet një rritje me 12% e primeve për sigurimin e fatkeqësive natyrore, ka një rënie me 36% të sigurimit të dëmeve të tjera në pronë. Në veçanti për sigurimin e pronës nga katastrofat primi mesatar ka shënuar një rritje, megjithatë, sipas ekspertëve të AMF-së kjo ka ndodhur sepse janë siguruar përgjegjësi në vlera më të mëdha dhe jo sepse primet e sigurimit të banesave janë shtrenjtuar.
Sipas censit të fundit, të vitit 2011, në Shqipëri ekzistonin pak më shumë se një milionë banesa, ndërsa numri vjetor i kontratave nuk është më shumë se 46 mijë. Kjo do të përkthehej në një shkallë sigurimi të banesave në nivel kombëtar prej rreth 4.6%. Por, realisht shkalla e sigurimit është edhe më e ulët, po të kemi parasysh se numri i ndërtimeve ka vazhduar të rritet, ndërsa kontratat e sigurimit të pronës nuk përfshijnë vetëm banesat, por edhe prona me funksion biznesi.
Ndërkohë që fatura e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit 2019 u vlerësua rreth 1 miliardë euro, pritet që pjesa më e madhe e kësaj vlere të paguhet nga shteti. Dëmet e kërkuara për kompanitë e sigurimeve kishin vlerën e rreth 33 milionë eurove. Ndërkohë, nga dhjetori 2019 deri në fund të shtatorit 2020, siguruesit kanë paguar rreth 23 milionë euro për dëmet në pronë. Gjithsej, kompanitë e sigurimeve kanë paguar më shumë se 5 mijë dëme. Duke qenë se katastrofat natyrore në pjesën më të madhe risigurohen, pjesa dërrmuese e faturës së dëmeve është paguar nga kompanitë e risigurimit.
Në mungesë të një kulture të gjerë sigurimi në popullsi, pas tërmetit të vitit të kaluar u kthye në tryezat e vendimmarrjes një draft për sigurimin e detyrueshëm të fatkeqësive, propozim i hershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Drafti propozonte një sigurim të detyrueshëm për një vlerë deri 25 mijë euro, kundrejt një primi sigurimi deri në 25 euro në vit. Por, edhe ky projekt është harruar sërish dhe deri më sot, qeveria nuk ka propozuar një projektligj të tillë./Monitor/