Nëse jeni duke folur për Shqipërinë, bëni bingo! Duket se nga plazhet e Adriatikut, kuptuam papritmas se shtrihet përpara nesh një bregdet, vetëm 45-55 milje larg. Zbulimi i vonshëm i Shqipërisë, është pak paksa suprizues, dhe befas u shndërrua në një temë trendi kësaj vere.
Në Shqipëri kam qenë me pushime 3 vjet më parë, pak para se të shpërthente bumi i pretenduar turistik. Me bashkëshortin dhe vajzën time 14-vjeçare, udhëtuam përgjatë bregdetit, nga Shkodra, pikërisht përtej kufirit me Malin e Zi, deri në Butrint, afër kufirit me Greqinë, domethënë përgjatë gjithë bregdetit që tanimë po shënon rekorde në ‘share’ dhe ‘like’ në rrjetet sociale.
Megjithatë, unë jam disi e kujdesshme përballë entuziazmit virtual dhe të lehtë të mediave sociale. Është e qartë se ka qytete, natyrë dhe kulturë. Dhe është e qartë se si në thuajse çdo vend tjetër në botë, ata meritojnë të njihen. Unë jam thjesht paksa e kujdesshme. Dhe ja sepse.
Kështjella e Rozafës, në jug të Shkodrës, ofron një fushëpamje fantastike mbi trekëndëshin aluvial të formuar nga tre lumenjtë (Drini, Buna dhe Kiri), pas tërmeteve të shekullit XIX. Vendi daton nga Epoka e Bronzit, por ndërtesa është kryesisht mesjetare, siç është katedralja e Santo Stefano, e konvertuar në një xhami pas pushtimit turk të vitit 1479 (Credit Maurizio Pancotti) Rruga për këmbësorë me bare në qendër të Shkodrës, shumë e gjallë dhe e plotë e të rinjve në mbrëmje (Credit Maurizio Pancotti).
Kështjella e Rozafës, në jug të Shkodrës, mbikëqyr trekëndëshin aluvial të formuar nga tre lumenj (Drini, Buna dhe Kiri) pas tërmeteve të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ky vend historik daton që nga Epoka e Bronzit, por ndërtesa është kryesisht mesjetare, ashtu siç është edhe katedralja e Shën Stefanit, e kthyer në xhami pas pushtimit turk të vitit 1479.
Megjithëse ka kaq shumë këshilla për të vizituar Shqipërinë, sipas mendimit tim më tepër të aspektit kulturor sesa detare, ekzistojnë disa arsye se pse vendi nuk është ende i pjekur për turizmin e një numri më të madh turistësh, dhe të një standardi të lartë.
Me pak fjalë, dhe për të qenë e drejtë, kam nxjerrë në pah tre elementë pozitivë dhe tre negativë, për të vlerësuar një udhëtim në vendin që ndodhet përballë nesh, të cilin jo vetëm që e kemi injoruar për dekada, por që edhe na shkaktonte njëfarë frike.
Njerëz të mirë
Nëse ka një trashëgimi pozitive të regjimeve komuniste, ky është edukimi dhe kultura e qytetarëve. Cilësi që ndihet edhe në Shqipëri. Njerëzit kanë një dashamirësi të jashtëzakonshme, ata të buzëqeshin dhe të flasin me dëshirë. U pëlqen të rrëfejnë për jetën dhe historinë e tyre, dhe preferojnë ta bëjnë këtë në gjuhën italiane, të cilën e njohin mirë shumë prej tyre.
Televizorët për aq sa mundeshin t’i sinkronizonin kapnin RAI-in, dhe festivalet e Sanremos, së bashku me shfaqjet e përjavshme televizive, ishin të vetmet argëtime për vite me radhë. Këto janë gjëra ndodhnin deri në 15-20 vjet më parë, kur shumë prej tyre po largoheshin me çdo kusht drejt Italisë, me shpresën e një jete më të mirë.
Saimir Pirgu, studioi violinë dhe këndoi në shkollën fillore, jo aq shumë sepse e pëlqente muzikën, por për shkak se inspektorët e qeverisë kishin parë tek ai një talent. Megjithatë, pavarësisht mërzisë fillestare me veglat muzikore, ai është bërë sot një tenor i madh dhe tani këndon si solist në “Teatro di Verona” dhe “La Scala”-n e famshme në Milano. Kjo është një nga historitë e shumta. Një tjetër është ajo e Kozetës, që drejtonte kampin “Eco Tourist”, me shtëpizat e vogla para Porto Palermos, ndërsa në dimër jep mësim letërsi në Universitet.
Gjatë mëngjesit, na tregon për komunizmin, kohën e censurës dhe babanë gazetar që ia kishte vënë këtë emër, pasi adhuronte shkrimtarin francez Viktor Hygo, dhe se nuk donte që ajo vetë të bëhej gazetare, nga frika e ndëshkimit nga ana e regjimit.
Ka shumë njerëz, veçanërisht të rinj, të jashtëzakonshëm dhe me një dëshirë të madhe për t’ia fshirë vendit imazhin e keq, dhe për të qenë protagonistë të ringjalljes së Shqipërisë. Ata e njohin dhe e rrëfejnë historinë e tyre me vetëdije dhe saktësi, kanë përfituar shumë nga përvojat e tyre si emigrantë, dhe tani po i testojnë në shtëpinë e tyre.
Ushqim i mirë
Në përgjithësi në Shqipëri, do të hani mirë. Shumë pjata janë të frymëzuara nga kuzhina italiane, dhe janë të ndërtuara ende me një stil artizanal. Konceptet e kuzhinës moderne nuk kanë zbarkuar ende në vend, prandaj ushqimi ruan ende një pamje reale, pothuajse si në shtëpi, dhe për fat të mirë edhe shijet.
Pa synime ekstravagante ambientaliste, kuzhina është e natyrshme – në mënyrë banale nuk ka para për pesticide – dhe restorantet më së shumti furnizohen me produktet e fermerëve të vegjël, që mbështesin ende ekonominë lokale.
Edhe byreku që konsumova në Durrës ishte i shijshëm. Dhe të mira qenë ato të gatuara me mish ose perime, picat, trofta e pjekur në tjegull, të gjitha pjata të thjeshta, të gatuara mirë dhe të shërbyera me një rregullsi të përsosur.
Çmime të përballueshme
Një darkë në restorantin më elegant të Shkodrës, në një rezidencë otomane të shekullit XVII me oborr dhe dhoma, kushton 10 euro për person. Një birrë kushton vetëm 1.50 euro. Shpenzimet shkojnë mesatarisht 22 euro për person në ditë, qiraja e një apartamenti me tre dhoma në qendër të Tiranës kushton 568 euro, dhe paga mesatare mujore është 430 euro.
Jeta kushton shumë më pak, dhe kjo është një nga arsyet pse 19.000 italianë janë zhvendosur për të jetuar atje gjatë 10 viteve të fundit, dhe është sigurisht një nga arsyet e tërheqjes së madhe turistike. Në përmbledhje, në Shqipëri hahet mirë, shpenzohet pak, njihni njerëz të mirë, dhe udhëtoni të sigurt.
Dhe ka fortesa antike (Roazafa), qytete të jashtëzakonshme si ai i mijë dritareve (Berati), vende arkeologjike të mbrojtura nga UNESCO (Butrinti, Gjirokastra dhe Saranda), male me pamje nga deti, dhe një bregdet magjepsës.
Pra, çfarë nuk shkon?
Plazhet e resorteve të mëdha, që na kujtojnë bumin turistik të viteve 1950 në Itali, plazhe që janë të njohura për ne, janë më pak të populluara me njerëz dhe rrjedhimisht pak më të vështira për t’u arritur. Por problemi është se që të mbërrish tek ato ujëra të kristalta, duhet të bëni manovroni midis pelenave, shisheve, kanoçeve, rrobave të vjetra dhe mbeturinave organike të çdo lloji.
Kjo ndodh edhe në Itali, por është po aq e vërtetë, se një turist i vetëdijshëm do të shmangë destinacionin në vend se të rezervojë plot gëzim pushimet për atje. Në Shqipëri ekziston një problem objektiv dhe i dokumentuar i menaxhimit të mbetjeve. Nuk janë futur ende në përdorim kazanët për diferencimin e mbetjeve, në një kohë që riciklohet vetëm 17 për qind e tyre.
Problemi rëndohet, kur përballesh me malin e mbetjeve që digjen në qiell të hapur pa asnjë lloj mbikëqyrje apo kujdesi për kalimtarët e rastit, lëre më pastaj për ata që punojnë atje, shpesh familjet rome me fëmijë që mbledhin materiale plastike, qelqi, metale dhe materiale të tjera, nga të cilat mund të fitojnë disa lekë. Nëse këtyre i shtojmë edhe mbeturinat që vijnë nga Evropa, problemi merr përmasa të frikshme.
Pavarësisht një natyre të bukur dhe ende të egër, me male të shkreta që “zhyten” në një det të gjelbër dhe blu, bregdeti nga Shëngjini në Ksamil është i ndërprerë nga një mori banesash të reja, vila, hotele, restorante, kryesisht të pabanuara që banorët e zonës i quajnë “lagje lavatriçe”, duke iu referuar pastrimit të parave të pista.
Ato janë lagje fantazmë ku përfundon qendra e qytetit, ndërtesa të larta deri në 10 kate, me shumë tenda, që shtrihen për disa milje në bregdet. Një volum i tillë ndërtimi, do të justifikonte gjithashtu numrin e zyrave të operatorëve celularëve që gjenden buzë rrugëve më të rëndësishme.
Duket se gjithçka është e destinuar për një popullsi të re, me shije dhe një stil modern të jetesës. Sa keq që në asnjë prej tyre në Durrës, Vlorë apo Sarandë nuk banon askush. Edhe pse Kryeministri Rama kishte filluar një program për prishjen e ndërtimeve pa leje në vitin 2013, puna që duhet bërë është e madhe, madje edhe për pastrimin e rrënojave.
Standardet e hoteleve ende modeste
Përveç Hotel Plazës, hoteli i parë me pesë yje në Tiranë i hapur disa muaj më parë, në Shqipëri nuk ekziston asnjë standard i lartë sa i përket strukturës hoteliere në Shqipëri, dhe është ende e vështirë të gjesh një hotel përfaqësues të një stili lokal. Dizajni dhe shërbimi nuk janë në linjë me ato që ndodhen pak më lart në Kroaci, ose pak më poshtë në Greqi.
Edhe rrjeti rrugor, është shpesh i mbingarkuar dhe mund të ndodhë që të udhëtosh befas në një rrugë me gropa të papritura. Natyrisht, asgjë nga këto nuk është e papërmirësueshme, por do të duhet pak kohë para se bregu të shndërrohet në një destinacion pushimi për familjet e lumtura, me detin e kristaltë dhe çmimet e lira, sikurse na sugjerohet shpesh: ka kilometra të tëra me godina që imitojnë bregdetin italian buzë Adriatikut, ose shumë pak, nëse mos fare.
Në rastin e parë mungon bukuria, në të dytën mungojnë strukturat. Përndryshe, do të hasësh disa shqetësime në ushtrimin e shpirtit tënd të eksplorimit në zonën e virgjër turistike, ku hotelet janë edhe më pak, dhe rrugët edhe më shumë të shkëputura nga njëra-tjetra. Dhe kjo është pikërisht bukuria e Shqipërisë, që nëse zhvillohet në drejtimin e duhur, ky vend mund të dallojë nga pjesa tjetër e Evropës.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce