119 të prekur me COVID-19 janë shënuar në Kosovë, nga 420 teste të kryera të martën.
Numri i përgjithshëm i të prekurve në Kosovë është 5.237, ndërsa kanë vdekur 112 persona, si pasojë e koronavirusit.
Kjo është dita e dytë që ka rënie të numrit të rasteve me COVID-19.
Një qytetar ka publikuar disa fotografi të mjekëve në Klinikën Infektive të QKUK-së. Në fotot e publikuara, shihen mjekët e Klinikës Infektive, të lodhur e të djersitur, gjatë orarit të punës.
Fotot e publikuara nga Ermal Meta në Facebook, dëshmojnë gjendjen e mjekëve. “Këto fotot më poshtë nuk janë nga Italia e muajit mars, këto janë bërë këtë javë në Klinikën Infektive në QKUK. Janë bërë nga një i afërm i imi, që punon aty dhe dëshiron të mbetet anonim. Këto foto tregojnë tmerrin që mjekët tanë kalojnë çdo ditë, 12 orë në ditë. Të ndjersitur e të rraskapitur, ata nuk ndalen”, ka shkruar Meta.
Ai ka përmendur edhe faktin që 30% e popullsisë në Kosovë, nuk besojnë se ka një virus që të merr jetën. Kjo pjesë e popullisë është e mendimit se është thjesht ‘konspiracion i forcave të mëdha’.
“Ndërkohë, jashtë atyre mureve, ende 30% e popullatës mendon që Covid-19 nuk egziston. Dhe se krejt kjo është ‘konspiracion i forcave të mëdha’. Është marre me jetu në një shoqni të tillë, në një mentalitet të tillë kolektiv.
Mundemi me kërku fajtorin tan ditën, ai jemi ne si shoqni. Sikur edhe Superman-in ta kishim lider, asgjë nuk kish me ndryshu. Ne emrin tonë foli Labi, që pa dyshim është produkt i yni”, ka shkruar Meta.