Numri i të burgosurve shqiptarë në burgjet e Britanisë së Madhe është dyfishuar në krahasim me 4 vite më parë. ‘The Sun’ shkruan se gangsterët nga Ballkani Perëndimor, tejkalojnë për herë të parë polakët, si jo-britanikët më të shumtë pas hekurave, pasi morën kontrollin e tregtisë së kokainës.
Një raport i Ministrisë së Drejtësisë së Britanisë evidenton se 876 të burgosur janë shqiptarë nga 9089 shtetas të huaj të dënuar në këtë vend. Në Qershor të vitit 2015, ky numër ka qenë 475, kurse një dekadë më parë 166.
Në raportin e Ministrisë se Drejtësisë britanike thuhet se të burgosurit më të shumtë pas britanikëve janë shqiptarë (10 % e të dënuarëve të huaj), polakë (8%), rumunë (8%), iralandezë (8%) dhe xhamajkanë (5%).
Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani të Madhe ka paralajmëruar më herët se grupet kriminale shqiptare kanë forcuar ndikimin dhe janë fuqizuar më shumë se grupet e tjera të krimit të organizuar, duke kontrolluar tregun e trafikut të drogës, sidomos të kokainës.
“Londra është qendra kryesore e tyre, por janë vendosur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, ka paralajmëruar Agjencia Kombëtare e Krimit.
Vetëm muajin e kaluar, një bandë shqiptare e krimit të organizuar prej 12 anëtarësh u burgos për shitjen e sasive të mëdha të kokainës.