Kryeministri Edi Rama, është duke zhvilluar një konferencë për shtyp me gazetarët për të komunikuar mbi qëndrimin e tij të fundit rreth krizës politike.
Një ditë pas takimit me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në zyrën e presidentit Nishani, kreu i qeverisë mendohet të adresojë të gjitha çështjet ku ai mund të lëshojë pe ndaj kërkesave të opozitës.
Një nga kërkesat e opozitës është dorëheqja e tij dhe krijimi i një qeverie teknike për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 18 qershor.
Kjo kërkesë është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga kryeministri Rama.
Kur këtë të dielë zhvillohen zgjedhjet vendore për bashkinë e Kavajës dhe kur Basha ka paralajmëruar mosbindje civile, kryeministri mund të ndryshojë mendje, sa i përket dorëheqjes dhe krijimit të një qeverie teknike.
Për të shmangur përplasjet e dhunshme midis militantëve, ditën e zgjedhjeve, në Kavajë, (të cilat nëse arrihet një kompromis politik mund të shtyhen pas zgjedhjeve të përgjithshme), Rama mund t’i plotësojë dëshirën e madhe Lulzim Bashës, duke dhënë dorëheqjen. Kjo do të pasohej me krijimin e një qeverie teknike midis palëve, e cila do të administronte edhe zgjedhjet e 18 qershorit, duke shmangur të gjitha polemikat për vjedhje të votave apo manipulimin tërësor të zgjedhjeve.
Ky skenar përforcohet edhe më shumë ndërsa paraditen e sotme, ambasadori amerikan, Donald Lu, vizitoi kryeministrin Rama.
Tashmë pritet vetëm pas pak çastesh se çfarë qëndrimi do të mbajë kryeministri; do të japë dorëheqjen apo do të vijojë të mos lëshojë nga qëndrimet e tij?