Gjatë diktaturës komuniste, i gjithë vendi u shndërrua në një burg të madh, i rrethuar me tela me gjemba. Megjithatë ironikisht edhe brenda këtij burgu të stërmadh, më të lirë për të folur kundër regjimit ishin të burgosurit politikë, sesa ata që ishin ende jashtë dhe që jetonin çdo ditë me frikën se mos arrestoheshin.
Duke parë rezistencën e tyre, autoritetet vinin në zbatim praktika ç`njerëzore që synonin të thyenin qëndresën morale të të dënuarit. Forma me e shpeshtë ishin ridënimet me akuzat absurde dhe të paprovuara, për komplote dhe grupe armiqësore kundra partisë dhe shtetit.
Kjo synonte që të shuante tek i dënuari çdo fije shprese, se një ditë do të mund të ishte i lirë, për aq sa mund të kishte kuptim kjo fjalë në Shqipërinë e diktaturës.
Megjithatë sikurse e treguan dhjetëra burra me një guxim të jashtëzakonshëm, trupi mund të burgoset por shpirti i njeriut jo. Ai rebelohet, tenton, dhe ritenton derisa është gjallë, që të shqyejë vargonjtë e robërisë dhe imponimit.
Më 21 maj 1973, në Spaç të Mirditës, në një nga kampet-burgje më të tmerrshëm, por edhe që kishte masat më të larta të sigurisë, shpërtheu revolta e qindra të burgosurve, që për 3 ditë tronditi regjimin komunist të Tiranës. Kampi i Spaçit u krijua fillimisht për të burgosurit ordinerë, në fillim të vitit 1968.
Kampi ishte ndërtuar në një gropë, në një shpat mali të zhveshur, i rrethuar nga të gjitha anët me male. Në fillim si kapanone fjetjeje shërbenin disa baraka të vjetra të ndërmarrjes së gjeologjisë, të ndërtuara në vitin 1953. Të burgosurit, që në fillim ishin 600 persona, punonin me tre turne, me mjete primitive dhe pa asnjë masë të sigurimit teknik.
Në 6 muaj të vitit, atje dominonte dhe akulli. Temperatura në dimër zbriste deri në minus 15 gradë. Në acarin e dimrit, të burgosurit që nuk realizonin normën, i lidhnin nëpër shtylla me kavo çeliku, duke i mbuluar me borë dhe akull, gjersa humbisnin ndjenjat.
Kushtet higjeno-sanitare në kampin e Spaçit ishin të tmerrshme. Të burgosurit, që kundërshtonin urdhrat e gardianëve, rriheshin në mënyrë barbare. Një torturë tjetër, ishte qëndrimi në këmbë me orë të tëra, me pretekst numërimin. Në këtë mënyrë, orari i punës shkonte nga 8 në 10-11 orë në ditë.
Kur i drejtoheshin të burgosurve, gardianët dhe oficerët e kampit e kishin në majë të gjuhës thënien: “Nga Spaçi s’keni për të dalë as të gjallë, as të vdekur!”. Kjo thënie ishte e vërtetë, pasi kufomat e të burgosurve që vdisnin pa mbaruar dënimin nuk u dorëzoheshin familjarëve. Këto kushte ç`njerëzore, e bënë të pashmangshëm rebelimin.
Dita e parë e revoltës, nisi si një ditë e zakonshme. Sipas rregullores, në mëngjesin e 21 majit 1973, nënoficeri i shërbimit shkoi për t’u hequr batanijet të burgosurve që ishin në dhomat e izolimit, të cilët ishin ndëshkuar nga komanda e burgut. I tillë ishte edhe Pal Zefi, nga Rrushkulli i Durrësit, dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë.
Sipas relacionit Nr. 205 “Mbi një ngjarje të rëndë të jashtëzakonshme shkaktuar nga të dënuarit Repartit 303”, datë 26 maj 1973 i komandës së burgut të Spaçit, Pali ishte “ndëshkuar nga komanda me 1 muaj vuajtje dënimi në dhomat e izolimit për arsye se kishte shkelur rëndë rregullat e vendosura në repart”.
Në orën 05.00 të mëngjesit të datës 21 maj, nënoficeri i rojës hapi derën dhe tentoi të marrë batanijen. Pali doli nga dhoma dhe u bashkua me turmën e të burgosurve të tjerë që ishin në oborr, dhe refuzoi të kthehet në izolim. Ai hipi në tarracë, dhe në dorë mbante një shufër hekuri, duke mos lejuar që t’i afrohej njeri.
Në orën 06.30, gardianët i bënë atij thirrje të rikthehet në dhomën e izolimit, por Pali vazhdonte të refuzonte. Në kohën që rojet tentuan ta arrestonin, ai qëlloi me hekur të dënuarin M.N, i cili ndërhyri për të ndihmuar policët dhe oficerin. Policët arritën të arrestojnë Palin, por atij i shkuan në ndihmë bashkëvuajtësit Hulisi Pashollari, Jorgo Papa, Dashnor Kazazi, Pavllo Pope, Hasan Iba, Pandi Sterjo, Muharrem Dyli, Rexhep Lazeri, Fadil Dushku, Sulë Veshi etj.
Të burgosurit u përleshen me policët për rreth 5 minuta. Aty u grumbulluan dhe të dënuarit e tjerë, dhe policët të trembur nga përmasat që mori ngjarja u tërhoqën duke dalë jashtë kampit. Komanda tentoi të marrë kontakt me të burgosurit e rebeluar, për të qetësuar situatën, por nuk pati rezultat.
Në kamp nisën të dëgjohen thirrje: Rroftë liria! Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Në orën 15.30, trupat speciale ndërhynë dhe arrestuan Pal Zefin, dhe Syrja Lame, që u dërguan në dhomën e izolimit. Kur grupi operativ kërkoi të arrestojë Pavllo Popën, ai iku me vrap dhe u fut mes turmës së të dënuarve.
Rreth orës 21.00 të burgosurit thyen birucat dhe nxorën jashtë të izoluarit. Ndonëse rojet hapën zjarr paralajmërues në ajër, të burgosurit nuk u tërhoqën dhe e përfunduan aksionin. Të burgosurit u grumbulluan në tarracë e në sheshin para pallatit, ku disa prej tyre si Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fishta mbanin fjalime dhe recitonin poezi me përmbajtje antikomuniste.
Byroja Politike, e zënë në befasi, urdhëroi shtypjen e saj me çdo kusht. Rreth orës 03.00 të mëngjesit të datës 22 maj, në kamp mbërriti zv/ministri i Brendshëm Feçor Shehu. Pasi zbardhi dita, rojet vunë re se, në katin e tretë të pallatit të burgosurit kishin ngritur një flamur të kuq, me shqiponjën në mes dhe pa yllin e kuq.
Sipas të dhënave që u mblodhën më pas, shqiponjën mbi flamur e kishte bërë Mersin Vlashi, ndërsa e kishin ngritur Gjet Kadeli, Rexhep Lazri dhe Murat Marta. Në orën 08.00 të mëngjesit, Shehu i bëri thirrje të burgosurve t’i rikthehen normalitetit, por pa rezultat. Pas disa orësh, një përfaqësi e përbërë nga tre të burgosur u takua me Feçorr Shehun.
Ata kërkuan të mos dënohej asnjë përgjegjës për revoltën, të mos punohej më në minierë, dhe të bëhej një amnisti: “Që kur u prishët me Bashkimin Sovjetik nuk keni bërë asnjë amnisti, pasi ne jemi dënuar padrejtësisht”- i thanë ata Feçorr Shehut. Forca të mëdha policie dhe ushtrie, e rrethuan kampin duke ushtruar një presion të madh psikologjik tek të burgosurit, por pa përdorur armët e zjarrit drejtpërdrejt mbi ta.
Në orën 09.00 të datës 23 maj, pas afro 52 orësh, të dënuarit pranuan kushtet e vëna nga komanda, dhe forcat policore dhe ato të gardës hynë brenda kampit. Qëndresën e vazhduan vetëm Dashnor Kazazi, Skënder Daja, Jorgo Papa dhe Dervish Bejko, të cilët me hekura e hunj në dorë ju kundërvunë rojeve të armatosur.
“Rezistenca e tyre u mposht me dhunë”- shkruhet në raportin e komandës së kampit për ngjarjen. U riarrestuan 115 vetë, katër prej të cilëve: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, i dënuan me vdekje dhe i ekzekutuan brenda pak ditëve; 111 të burgosurit e tjerë u dërguan në hetuesinë qendrore në Tiranë, ku iu nënshtruan torturave nga më mizoret. Ata u nxorën në një gjyq të inskenuar në Rrëshen, dhe u dënuan në total me 1700 vjet burg.
Ky ishte fundi tragjik i Revoltës së Spaçit, revolta më e madhe në historinë e burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar në Shqipëri, gjatë regjimit komunist. Sipas hulumtimeve të bëra, revolta e Spaçit është më e madhja në të gjithë vendet ish-socialiste të Evropës Lindore, me përjashtim të Bashkimit Sovjetik.
Po përse regjimi zgjodhi negociatat dhe nuk ndërhyri brutalisht që në fillim? Sigurimi
i Shtetit, që kishte dhjetëra spiunë në rradhë e të dënuarve, kishte informacion për ekzistencën e disa lëvizjeve politike brenda Spaçit, si Organizata e Ballit Kombëtar, Partia Revizioniste, Partia Socialdemokrate dhe Partia Zogiste.
Duke pasur informacioneve të detajuara nga brenda, nga 16 bashkëpunëtorë të Sigurimit me pseudonime si “Zjarri”, “Shpata”, “Planeti”, Shigjeta kaltër”, Bakri”, “Zjarri i Dytë”, Pushka”, Libri”, Stilografi”, “Pisha”, “Vigjilenti” etj, autoritetet u munduan ta mbyllnin këtë ngjarje pa shumë bujë, sepse nuk i interesonte kjo gjë./ Tirana Today