Kombëtarja shqiptare është duke kaluar një moment aspak pozitiv. Që pas largimit të Gianni De Biasit, kuqezinjtë nuk kanë arritur të shkëlqejnë në fushën e blertë dhe këtë e tregojnë rezultatet. Christian Panucci u përpoq të sjellë një frymë të re, me disiplinë të fortë, por nuk ia doli. Humbja në ndeshjen e parë eliminatore për në Euro 2020 rezultoi fatale për teknikun italian, e cila solli edhe shkarkimin e tij.
Pas shkarkimit të Panuccit, FSHF është në kërkim të një trajneri të ri dhe emrat nuk mungojnë. I pari në listë është Eduardo Reja, por duket se italiani që ka drejtuar Lazion nuk ka pranuar që të marrë drejtimin e kuqezinjve, pavarësisht fitores 3-0 në transfertë me Andorrën. Përgjigjia që i ka dhënë presidentit të FSHF-së, ishte se nuk mund të marr në drejtim kombëtaren shqiptare me kontingjentin e lojtarëve që ka në dispozicion.
Gianni De Biasi është një trajner që tifozët shqiptar i ka bërë mjaft të lumtur me kualifikimin për në evropianin e Francës më 2016. Tekniku italian nuk e ka mohuar një rikthim të mundshëm, por më parë është shprehur se ai e ka mbyllur aventurën me kuqezinjtë dhe tashmë do të jetë një tifoz.
Nga ana tjetër Armand Duka nuk e ka mohuar faktin që trajneri i radhës mund të jetë shqiptar dhe shanset më të mëdha i ka Besnik Hasi, i cili momentalisht është edhe i papunë. Hasi është një dëshirë e vjetër e FSHF-së, pasi u kontaktua edhe para se të vinte De Biasi, por ai që bllokoi këtë tratativë ishte presidenti i Andertlecht, skuadrës që drejtonte Hasi asokohe.
Tirana Today ka bërë një sondazh ku ka ftuar sportdashësit shqiptarë që të votojnë mes De Biasit dhe Besnik Hasit, kë do të donin të merrte drejtimin e kuqezinjve. Tifozët kuqezinj kanë votuar me 64% të votave për Besnik Hasin dhe 34% për rikthimin e De Biasit. Duket se tendenca për të pasur një trajner shqiptar është rritur, por edhe për faktin se Hasi ka një karrierë të suksesshme me klubet.
E thënë ndryshe nga 976 vota që janë mbledhur në sondazh, 624 kanë shkuar për Besnik Hasin si trajner i ardhshëm i kombëtares shqiptare dhe 352 janë pro rikthimit të De Biasit.
Momentalisht kuqezinjtë drejtohen nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema. Në përballjen me Andorrën ata treguan se kanë bërë zgjedhje mjaft të mira në formacionin stratues, të cilët arritën të fitonin 3-0. Një fitore mjaft e rëndësishme për moralin e skuadrës në një moment mjaft të vështirë. /TIRANA TODAY