Kryeministri Edi Rama është shprehur se pavarësisht kërkesave dhe qëndrimeve të opozitës parlamentare, marrëveshja e 5 qershorit nuk do të preket në asnjë pikë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama tha se as atij nuk i pëlqen heqja e koalicioneve, por theksoi se marrëveshja nuk do të preket.
“Dua t’ju jap një mesazh të gjithëve duke filluar nga i palodhuri i një tranzicioni i gjatë Myslim Murrizi deri tek deputeti i fundit. Nuk mund t’i merrni të gjitha, nuk mund t’i kërkoni të gjitha. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë lëshimet tona.
Është e pamundur që ne të votojmë së bashku me ju, në rast se ju nuk votoni së bashku me ne. Për ne marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të sajën. E them këtë duke e përsëritur mua marrëveshja e 5 qershorit nuk më pëlqen dhe ka një problem të madh që nuk kemi arritur dot të adresojmë rekomandimin kryesor të OSBE/ODIHR që është i përsëritur thuajse në të gjitha raportet depolitizimi i administratës zgjedhore. Ju e dini që ne kemi qenë vijimësisht këmbëngulës dhe madje kemi thënë që ne do ta bëjmë depolizitimin do apo nuk do PD por ajo që e dallon sistemin demokratik nga ai kur vendos vetëm një parti është që duhet dhe të tërhiqesh, të bësh kompromise dhe kur nuk të pëlqen për hir të një interesi shumë më të madh”, tha ai.