Pas akuzave të kreut të Kadastrës, Artan Lame, në lidhje me problemet e hasura me rregjistrat e këtij institucioni në Durrës, Prokuroria ka nisur hetimet. Bëhet me dije se Prokuroria do të bëjë verifikimin e veprimeve në rregjistrat e Kadastrës së Durrësit, për të parë abuzimet në to.
Pak ditë më parë, Lame tha se ka ngritur një grup pune për inventarizimin e regjistrave të Kadastrës së Durrësit, pas problemeve të mëdha të hasura me to, siç është edhe grisja e fletëve. Në një raport 600 faqesh vihet re se abuzimet më të mëdha janë në zona të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj.
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, tha se nga të gjitha dosjet e marra nga kjo Kadastër vetëm 15 % e tyre janë pa probleme, ndërsa pjesa tjetër e regjistrave janë me faqe që mungojnë, të grisura madje edhe shumë të dubluara që tregojnë se për një pasuri janë ndjekur dy rrugë të ndryshme legalizimi apo kthimi te pronari duke sjellë abuzime shumë të mëdha.
“Nisur nga faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 582, datë 01.04.2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 te Kodit Penal. Me urdhër të drejtueses së Prokurorisë është krijuar një grup hetimor i përbërë nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes”, njofton Prokuroria.