“Stop” është ndalur këtë të mërkurë në Peshkopi, pasi familja Kapxhiu ka rreth 5 vjet që nuk po zgjidh dot një problem, që i ka lindur me Përmbarimin Shtetëror, konkretisht me drejtuesin Edmond Shehu.
Ky i fundit po ekzekuton një vendim të montuar të formës së prerë për Lavdosh Kapxhiun, të cilit i kërkohet prishja e 55m2 pronësi, ndërkohë që ky i fundit nuk ka asnjë pronë apo pasuri në emër të tij.
Denoncuesi: Po ku do e gjesh shtëpinë, që do e prishësh?
Përmbaruesi Edmond Shehu: Atje ku të jetë… ku të thotë eksperti. Sipas gen-planit ka dhënë prishet ky vend dhe aty do prishet.
Mariglen Kapxhiu, djali i Lavdoshit, sqaron se përmbaruesi, policia dhe bashkia në Peshkopi janë bërë bashkë, për të prishur shtëpinë e gjyshit të tij Zeqir Kapxhiut, sepse gjyqi është zhvilluar në emrin e babait të tij, por me numrin e pasurisë së gjyshit të tij.
“Një person ka paditur babain tim Lavdosh Kapxhiun dhe gjykata ka marrë vendimin që të prishet shtëpia e Lavdosh Kapxhiut. Nuk e di pas çfarë faktesh është vendosur që kjo shtëpi është e Lavdosh Kapxhiut. Nuk e kuptoj.
Kjo ka sjellë shumë pasoja të rënda. Si pasoja ekonomike, si pasoja stresi, si pasoja që policia vjen, këtu ndërtohet një ballkon, lyhet, policia merr babain e çon në polici dhe i thotë që po bën ndërtim pa leje. Po merren masa ndaj babit tim, edhe gjoba po i vendosen kur shtëpia është në emër të Zeqir Kapxhiut. Ia kam dorëzuar të gjithëve që nuk është Lavdoshi pronar dhe më thonë që kemi vendim gjykate dhe do ta ekzekutojmë”, thotë ai.
“Unë këtu jetoj të paktën 50 e ca vjet-60. Vetëm unë me gruan jetoj këtu. Çdo gjë ua kam thënë, por nuk më pyeste kush mua s më quanin të vjetër”, tregon Zeqir Kapxhiu.
Strumbullar është bërë një vendim gjykate nga Edvan Velçani, i lënë në fuqi nga Apeli.
Denoncuesi: Përshëndetje! Unë jam një qytetar. Desha vetëm të komunikoj pak me gjyqtarin…! Po me kryetarin. Jo nuk kam gjyq, por desha të komunikoj diçka, sepse ka kohë, që të kërkoj dhe s’po të gjej, sepse nuk më lejojnë të të takoj, prandaj.
Gjyqtari Edvan Velçani: Çfarë problemi ke? Kemi gjyq?
Denoncuesi: Jo! Është bërë një gjyq dhe gjyqtari Edvan Velçani ka marrë një vendim, që babait tim t’i prishet 55 m2, ku babai im nuk ka as shtëpi, asgjë me vërtetim…
Gjyqtari Edvan Velçani: Kush është babai juaj?
Denoncuesi: Lavdosh Kapxhiu!
Gjyqtari Edvan Velçani: Po dhe çfarë do ti tani…?
Denoncuesi: Atëherë, unë po të them këtë vendim, që është marrë Lavdoshi, certifikata është në emër të gjyshit…!
Gjyqtari Edvan Velçani: Po mirë, çfarë kërkon tani?
Denoncuesi: Kërkoj, që në çfarë baze është marrë ky vendim!
Gjyqtari Edvan Velçani: Bëj ankim, o zotëri! Vendimet e gjykatës ke të drejtë të bësh ankim! Dil jashtë! Ec!
Eksperti Flamur Bulku tregon, sesi i janë diktuar pyetjet nga gjyqtari dhe si e ka bërë akt-ekspertimin, duke marrë parasysh vetëm palën, që hapi gjyqin.
Ai pranon, se gjithçka ka qenë gabim dhe se është i gatshëm të dëshmojë, se ky akt-ekspertimi ka qenë fiktiv.
Denoncuesi: O Flamur, të të pyes Geni për diçka! Ti ke bërë një akt-ekspertimi?…
Eksperti Flamur Bulku: Po!
Denoncuesi: Gjykata, në bazë të këtij vendimi, është marrë mo Flamur! Si është bërë ai akt?
Eksperti Flamur Bulku: Në bazë të asaj AMTP-së, që ka pas marr ai. (Paditësi Dëfrimi)
Denoncuesi: Po pse nuk e morët një letër atje te zyra e regjistrimit, që Lavdosh Kapxhiu nuk ka asnjë lloj prone, sepse toka është e Zeqir Kapxhiut?
Eksperti Flamur Bulku: Mirë mo burrë, tani kjo punë ka mbaru…
Denoncuesi: Po mirë mo, po është në emër të Zeqirit. Ti e ke bërë në emër të Lavdoshit, më vjen çudi…!
Eksperti Flamur Bulku: Po ashtu kanë qenë pyetjet e gjykatës, or ti tashi…
Denoncuesi: Pse e ke bërë akt-ekspertimin në emër të Lavdoshit? Pse nuk shkove tek zyra dhe t’i thoje në emër të Lavdoshit, nuk ka pronë more zoti gjyqtar! Nuk ka pronë, sepse tek kjo këtu, lexon truall plus… a do të të tregoj diçka tjetër, që të bindesh? Afrohu një çikë të lutem! Urdhëro! Çfarë është kjo letër…? Lavdosh Kapxhiu nuk ka të regjistruar asnjë pasuri të paluajtshme, thotë.
Eksperti Flamur Bulku: Po ka qenë kërkesë-padia në emrin e Lavdoshit, or ti…
Denoncuesi: Po kërkesë-padia mund të jetë në emrin e Lavdoshit. Tani ti shko vërtetoje, që s’ka pronë Lavdoshi. Gjyqi, ke për të ardhur të dëshmuar, se çfarë ke bërë, sepse ke qenë vetëm me Dëfrimin, (Paditësi) kur ke mat tokën. A është kështu?
Eksperti Flamur Bulku: Unë di, që këtu, ngaqë s’ka ardhur Lavdoshi, edhe mua e kemi fol edhe me Edmondin (Përmbaruesi). Mua nuk më pëlqen ai vendim, oj ti edhe ia kam dhënë me firmë Lavdoshit. E mban mend?
Denoncuesi: Ky vendim nuk të pëlqen?
Eksperti Flamur Bulku: Po ja kam thënë edhe Lavdoshit. Çfarë faze jeni tani? Hidhi, hidhi në gjyq! Unë i thashë edhe për padinë atëherë, i thashë ta paguajmë ne, unë dhe Edmond Shehu (Përmbaruesi).
Denoncuesi: Tani unë do shkoj të bëj masën e sigurisë, ti do shkosh të paraqitesh në gjykatë! Ta kam shkruar emrin në gjykatë?
Eksperti Flamur Bulku: Po, pasi…
Drejtuesi i Përmbarimit Shtetëror në Peshkopi, Edmond Shehu, pranon, që ka marrë para dhe do t’i japë një pjesë personit të dëmtuar.
Denoncuesi: Të t’i tregoj edhe njëherë këto letrat, si do ja bëjmë…?
Përmbaruesi Edmond Shehu: Çfarë të bëj unë, mor aman…?
Denoncuesi: Po mirë mo, ti a je në dijeni, sepse nuk je t’u prish një biçikletë, ose një avlli. Kjo është shtëpi, or Mond!
Përmbaruesi Edmond Shehu: A e bëtë kundërshtimin në gjykatë?
Denoncuesi: Po prit mo, kundërshtimin në gjykatë, po… kjo certifikatë është e Zeqir Kapxhiut. Ku do e gjesh mor Mond, atë shtëpi, që do e prishësh?
Përmbaruesi Edmond Shehu: Do marr ekspertin, do e gjejë eksperti…
Denoncuesi: Po mirë…,po si kjo është shtëpi e Zeqirit? Lavdoshi s’ka shtëpi. Ta vërtetoj more me letra, që s’ka shtëpi. Kam dhe vërtetimin e Hipotekës, të gjitha. Po si, ku do e prishësh?
Përmbaruesi Edmond Shehu: Po ku e di unë mo? Gjykata e mori këtë vendim.
Denoncuesi: Po ku do e gjesh këtë shtëpi, që do e prishësh?
Përmbaruesi Edmond Shehu: Aty ku do të jetë! Sipas këtij gen-plani do të thotë, të prishet ky vend, aty do të prishet…
Denoncuesi: Po ku mo? Zeqiri thotë, që është e imja, po si…?
Përmbaruesi Edmond Shehu: Po le të thotë, mo Zeqiri, ka pasur kohën e mjaftueshme, për të bërë…
Denoncuesi: Po pse mo të shkojë Zeqiri në gjykatë, kur nuk e ka thirr asnjëri, mor Mond? Shihe një minutë! Kjo certifikatë thotë: Zeqir Kapxhiu dhe është me hartë grafike, me të gjitha…
Përmbaruesi Edmond Shehu: Ju keni bërë kundërshtimin e veprimeve përmbarimore.
Denoncuesi: Një minutë! Unë po të pyes, për këtë. Ti ke një vendim për Lavdoshin. Ku do ta ketë, që do ta prishësh?
Përmbaruesi Edmond Shehu: Kam një akt-ekspertimi në vendimin gjyqësor…
Denoncuesi: Or Mond! A keni marrë lekë, a si është kjo punë? S’e marr vesh! A keni marrë lekë?
Përmbaruesi Edmond Shehu: 200 milionë lekë kam marrë.
Denoncuesi: Po kjo është shtëpi me hipotekë. Do ta paguash këtë!
Përmbaruesi Edmond Shehu: Le ta paguaj! Do ta paguaj!
Denoncuesi: Si do ta paguash?
Përmbaruesi Edmond Shehu: I kam marrë 200 atij, do të jap 100 ty.
Denoncuesi: I ke marrë 200 milionë atij? Do të më japësh 100 mu?
Përmbaruesi Edmond Shehu: Po n.q.s, m’i lenë ngarkim mu, do t’i jap 100 ty.
Denoncuesi: Ok!
Gjatë investigimit të këtij rasti, “Stop” ka kapur një grup inspektorësh nga Inspektorati shtetëror ku si subjekt ishte kryetari i Përmbarimit Shtetëror, Edmond Shehu. Në mënyrë verbale atij iu komunikua që ka bërë një procedurë të jashtëligjshme.
Denoncuesi: Është një ekzekutim, që thotë:…padia është në emrin e babait tim, që nuk ka asnjë lloj prone me vërtetim nga Hipoteka. Certifikata e pronësisë është në emër të gjyshit tim dhe këta duan, të prishin shtëpinë me një vendim, që është në emrin e babait tim, Lavdosh Kapxhiu.
Inspektorja Përmbarimi Shtetëror: Nëse nuk ka pronë në emrin e babait tënd, atëherë s’ka si e prishin shtëpinë!
Denoncuesi: Ky është vendimi i gjykatës në emër të Lavdosh Kapxhiut, që është marrë për prishje dhe kjo është certifikata e pronësisë së shtëpisë, që është në emrin e gjyshit tim edhe këto duan ta prishin. Ku do ta gjesh këtë mo, kur s’është mor Mond, kjo …? Po nuk ka Lavdoshi asnjë lloj prone, mo! Ta jap me letra, me certifikatë pronësie. Është në emrin e gjyshit tim.
Inspektorja Përmbarimi Shtetëror: N.q.s nuk figuron asnjë lloj prone, do të rrish i qetë! Nuk ka, se çfarë të …,n.q.s se ASHK-ja thotë, që nuk ka pronësi, atëherë përmbaruesi nuk ka se çfarë të veri sekuestro! Të jesh i sigurt për këtë! Bëhet vendim i paekzekutuar. Unë nuk e di, se çfarë ka bërë Mondi. Përpara se Mondi të vijë të bëjë këtë ekzekutim, do marrë informacion nga ASHK-ja. Kjo pronë është, apo jo eee…(Lavdoshit)./tvklan.al