E mërkurë, 8 Dhjetor, 2021
-0.5 C
Tirana

Skandali/I marrin shtëpinë në ish-Bllok, shkak borxhi i vëllait (Video)

Emisioni “Stop” në Tv Klan mbrëmjen e sotme ka trajtuar rastin e një qytetari, të cilit përmbarimi privat kërkon t’i marrë shtëpinë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë për borxhin e të vëllait, edhe pse nuk ka asnjë lidhje ligjore me këtë detyrim. Fjala është për vëllezërit Naim dhe Avni Noka. Naim Noka ka një borxh për të paguar dhe përmbaruesi privat Fatos Alimadhi ekzekutoi vendimin gjyqësor para disa vitesh duke i marrë shtëpinë dhe e nxorri në ankand për ta shitur.

Nga shitja e banesës në ankand, 32 mijë Euro ishte diferenca e mbetur e borxhit që duhej t’i ishte kthyer Naim Nokës nga përmbaruesi privat Fatos Alimadhi. Kjo shumë parash u përvetësua në mënyrë të paligjshme nga përmbaruesi dhe nuk u kthye. Për shkak të këtyre mashtrimeve, Fatos Alimadhi u arrestua në muajin Shkurt të vitit 2018 dhe u dënua nga gjykata.

Ku qëndron problemi aktualisht?

Dosjen përmbarimore të Fatos Alimadhit i cili u dënua për mashtrim, e mori studio tjetër përmbarimore “TDR grup”. Pikëpyetjet qëndrojnë në faktin se si kjo dosje ka kaluar nga njëra palë tek tjera.

Florian Shehu, përfaqësues i TDR grup: “Tek zyra jonë është regjistruar kërkesa e kreditorit Edmond Hoxha së bashku me një procesverbal origjinal të datës 09.03.2018 të shoqërisë “Alimadhi shpk”, e cila më parë ka ndjekur dhe procedurat. Pasi me vendim penal supozohej që z.Alimadhi nuk e kishte më licencën. Kopjet e akteve i ka marrë me procesverbal kreditori dhe pastaj zgjedh një shoqëri tjetër”.

Për shkak të borxhit të papaguar të Naim Nokës, i cili ende nuk ka marrë shumën 32 mijë Euro që ishte diferenca nga shitja e banesës, përmbaruesi privat kërkon t’i marrë pronën vëllait të tij Avni Noka. Ky i fundit nuk ka asnjë lidhje me borxhin e vëllait dhe asnjë detyrim ligjor.

Avokati Eduard Buda: “Brenda 15 ditëve të zhvillimit të ankandit blerësi i një pasurie të paluajtshme në ankand ka detyrim të derdhi shumën përkatëse. Kjo shumë duhet t’i kalojë menjëherë në mënyrë urgjente personit pronat nga shërbimi përmbarimor”.

Megjithatë, përfaqësuesi i “TDR grup”, Florian Shehu thotë se shuma 32 mijë Euro do t’i kalojë debitorit sapo ky i fundit t’u japë një numër llogarie.

Florian Shehu, përfaqësues i TDR grup:”Shuma 32 mijë Euro ka kaluar në llogari dhe debitori është njoftuar që të na japë një llogari të tijën dhe t’i kalojmë paratë në llogari”.

Në shtëpinë e Avni Nokës në zonën e ish-Bllokut jeton me qira qytetarja Jonida Dusha bashkë me fëmijët. Më 8 Mars 2019, në banesë i kishte shkuar përmbaruesi së bashku me 20 policë që kërkonin ta nxirrnin nga prona, pa e njoftuar më parë.

Kamera e fshehtë kur në banesën e Jonida Dushës shkoi përmbarimi me 20 forca policore:

Denoncuesja: Ka mundësi, që ti t’më japësh njoftim, që ti të vije këtu?

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Hiqi fëmijët të lutem, se s’…

Denoncuesja: Ça t’i bëj fëmijës? C’është kjo? Fëmijën kam për ta çuar në shkollë, kam librat brenda. Je në terezi të kokës ti? Ore nuk ka sens, të vish këtu me 20 policë, me fëmijën këtu përballë, ore është terror psiqik.

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Çoje fëmijën!

Denoncuesja: Ku ta çoj fëmijën, moj?

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Po çoje pra, sa të mbarojmë procedurat!

Denoncuesja: Edhe njëherë, më ke ardhur pa njoftu fare moj, o shoqe… Më fal, respekt! Pa njoftim fare, pa njoftim, çfarë duhet të bëj unë? Ku t’i çoj fëmijët, ouuu…?

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Po mos m’u drejto ashtu, moj!

Denoncuesja: Po, s’ka sens mo!

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Me mua po komunikon normalisht tani, të lutem!

Denoncuesja: Po më vjen inat, se të kam ardhur, të kam bërë ankesë ty në rajonin e policisë, e ti… Çfarë? S’ke bërë asgjë.

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Ke bërë ankesë?

Denoncuesja: Ti mbron këta.

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Ke bërë ankesë?

Denoncuesja: Edhe unë po sqaroj diçka.

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Hë pra, urdhëro!

Denoncuesja: Unë dua njoftimin, që këtu do vini ca njerëz.

Zyra Përmbarimore TDR Grup: O, ti zonjë, nuk e bëjmë ne njoftimin e bën…

Denoncuesja: Po kush e bën këtë njoftim? Po atëherë, po më drejtohesh ti?

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Ku e ke pyetjen për mua?

Denoncuesja: Pyetja është: Juve, që vini këtu, a keni njoftim?

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Mbaj unë përgjegjësi për veprimet e mia këtu.

Denoncuesja: Shumë bukur! Ai zotëria, që bën veprimet atje, a ka ndonjë njoftim?

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Më vjen keq more!

Denoncuesja: Zotëri! A ka mundësi t’më japësh një njoftim, që ti do sabotosh pronën këtu?

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Jeni njoftuar në mënyrat zyrtare, që parashikon ligji.

Denoncuesja: O shok! S’kam asnjë njoftim!

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Unë nuk ju njoh fare! Unë ty tashi…

Denoncuesja: Ja more, ku e ke, njihe more, njihe! Po jam unë ore zotëri, jetoj unë këtu mo! Ore një sekondë! Si s’jam pa proces mo? Unë jam me vendim gjykate, o shok! Shihe a ka mundësi ta shohësh ti këtë? Ja!

Zyra Përmbarimore TDR Grup: Unë të thashë -ma jep! Ti më the- jo unë s’ta jap!

Denoncuesja: Unë jam palë e tretë, jam poseduesja e Avni Nokës. Unë jetoj këtu me vendim gjykate nga Avni Noka. Çfarë dreqin do ti tani, t’mos më njoftosh mua? Ku ti çoj fëmijët, o zotëri? Ti me ligj e ke një muaj, do më japësh zgjidhje për një muaj, të gjej strehim! Je në terezi të kokës, çfarë veprimesh bën?

Znj. Jonida Dusha thotë për emisionin “Stop” se pasi përmbaruesi privat dhe forcat policore u larguan nga banesa e saj, ajo ka vënë në dijeni instancat shtetërore për veprimet e paligjshme, por ende nuk ka marrë një përgjigje sot e kësaj dite.

Denoncuesja Jonida Dusha: “Nuk kisha asnjë lloj informacioni, isha komplet e papërgatitur. Në datën 8 ora 10:00 m’u paraqitën 20 policë, njerëz të panjohur. U kërkova ‘kush jeni’, fëmijët u terrorizuan. Katër furgona policie poshtë, nuk kuptova çfarë kisha bërë. Nuk më dhanë asnjë sqarim. Në datën 8 jam drejtuar të gjithë instancave; Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit, SHKB-së për gjithë veprimin policor që është bërë atë ditë duke i vënë në dispozicion faktet dhe dokumentacionin që kisha unë. Nga ai moment, nga data 08.03, deri sot asnjë institucion nuk është vënë në lëvizje”.

Si përfundim, për shkak të një borxhi të mbetur prej 20 milionë Lekësh të vjetra të Naim Nokës, përmbaruesi privat kërkon t’i marrë banesën vëllait të tij Avni Noka, i cili nuk ka asnjë lidhje ligjore me këtë borxh?! /tvklan.al

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

8 gra dhe 8 burra: qeveria gjermane hap rrugën për barazi gjinore

Për herë të parë në 16 vjet, Gjermania do të drejtohet nga një burrë. Por megjithëse Angela Merkel po ia dorëzon kancelarinë një pasardhësi...

OBSH: Vaksinat duhet të funksionojnë kundër variantit Omicron

Vaksinat ekzistuese duhet të mbrojnë ende njerëzit që kontraktojnë variantin Omicron nga rastet e rënda të Covid, thotë një zyrtar i Organizatës Botërore të...

Fishekët e Yuri Kim, kapsolla deri më sot…

Nga: Eduard Zaloshnja Pasi Sekretari i Shtetit Blinken e shpalli Berishën persona non grata, Ambasadorja Yuri Kim, tek shkallët e ShQUP-it, u bëri thirrje anëtarëve/votuesve të PD-së...

Escobar me agjendë të qartë kundër korrupsionit, shmanget takimi me Metën

I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vjen në Tiranë me një agjendë të qartë kundër korrupsionit të politikanëve shqiptarë. Ambasada e...

“Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë”, Rama uron të rinjtë për 8 dhjetorin

Në ditën e Rinisë, kryeministri Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, ku thotë se kjo datë i kushtohet vetëm të rinjve. “MIRËMËNGJES dhe me...