Personi me të cilin ka folur Dako në audiopërgjimin nuk është Astrit Avdylaj. Kjo është konfirmuar mbrëmjen e sotme nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, në studion e “Repolitix”.
Dako i ka mëshuar fort faktit se ai nuk është zëri i Astrit Avdylit, por i një familjari të tij, ndonëse nuk ka dhënë një emër konkret.
Kryebashkiaku theksoi se ajo telefonatë është manipuluar, me qëllim që të krijohet një lidhje Dako- Avdylaj, gjë për të cilën ai thotë se është e pabazuar askund.
“Unë e kam thënë që nuk është Astrit Avdylaj, është një person nga familja e tyre i cili komunikon me mua, por jo Astrit. Kjo jo se ndryshon rrjedhjen e telefonatave, por është manipuluar me qëllim që të lidhin të gjithë telefonatat e tjera, 5 të tjerat me Vangjush Dakon.
Ka qenë një mendje djallëzore për të çorientuar opinionin publik. Në këtë rast, kjo telefonatë nuk është zëri i Astrit Avdylaj. Nuk mbaj mend të kem folur ndonjëherë në celular me Avdylajn”, u shpreh Dako.