Skandal/ 3000 euro për një protezë në Spitalin Ushtarak

Fiks Fare transmetoi mbrëmjen e së mërkurës një tjetër skandal në lidhje me bluzat e bardha. Shërbimi që qytetarët duhet ta marrin falas, mjekët e keqpërdorin duke marrë lekë nën dorë. 3000 euro i kushtoi një qytetari proteza e vënë në këmbë në spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.

Në Fiks Fare u ankua qytetari Isa Blloku 31 vjeç nga fshati Dardhë i Librazhdit i diagnostifikuar me Coxartros sinistro. Në nëntor të 2011 ai shprehet se kundrejt pagesës së 3000 eurove bëri operacion për vendosjen e një proteze. Pas 3 vitesh diagnostifikohet edhe në këmbën tjetër dhe kontakton mjekun Sokrat Bërdufi i cili e kishte operuar edhe para 10 vitesh duke u paguar nën dorë. Mjeku Bërdufi i propozon të njëjtën mënyrë siç kishin proceduar në 2011, të paguhej por kësaj radhe meqë e njihte pacientin i ka kërkuar 2800 euro siç shprehet z. Blloku.

Në pamundësi ekonomike, Isa Blloku regjistrohet për t’u vendosur në listë pritje për një protezë falas nga Spitali Ushtarak. Por sot e pesë vjet që pret ende nuk i ka ardhur radha, dhe gjëndja e tij është përkeqësuar. Ai i është drejtuar Fiks Fare për të zgjidhur problemin shëndetësor që ka dhe të mund të operohet për të vënë protezën tjetër.

Isa Blloku takon edhe mjekun Sokrat Bërdufi ku që në fillim të takimit me qytetarin , mjeku i thotë ” a i ke lekët?”. Kur qytetari i përgjigjet se do mundohet t’i gjejë atehërë mjeku Bërdufi vazhdon i kërkon të njëjtën shifër si operacioni i parë që i ka bërë, 3000 euro. Por gjatë bisedës me qytetarin mjeku tregohet ” zemër bardhë” duke i bërë një skonto prej 200 eurosh. ” Do flas edhe me këta që të të bëjmë një skonto deri në 2800 euro dhe duhet të gjeshë vetë dy litra gjak” shprehet mjeku Bërdufi. Kur qytetari e pyet mjekun se në cilën datë do e lënë ndërhyrjen ai i përgjigjet se “duhet të bëhesh gati njëherë pastaj shohim”. Në momentin që qytetari do të ketë shumën e kërkuar nga mjeku do të vendoset edhe data e operacionit. Mjeku hedh edhe idenë se operacionin mund ta kryejnë në spitalin e Elbasanit.

Fiks Fare u interesuar pranë drejtorisë së Spiatlit Ushtarak në lidhje me listën e pritjes së protezave. Gazetarëve të Fiksit u pohohet se lista nuk ka lëvizur fare pasi janë pezulluar operacionet e planifikuara , ku pacientët mund të përfitojnë protezat falas, kjo për shkak të pandemisë covid -19. Në këtë spital vazhdojnë ndërhyrjet vetëm për rastet emergjente.

Në vitin 2016, ish ministri i Shëndetësisë , Ilir Beqaj, do të deklaronte se protezat për pacientët do të financoheshin nga buxheti i shtetit. Po sa para u shpenzuan asokohe për protezat dhe aktualisht a financohen nga buxheti i shtetit? Fiks Fare i jep përgjigje këtyre pyetjeve me anë të dokumentave të siguruara mbi tenderat e kryera nga Ministria e Shëndetësisë dhe Spitali Universitar i Traumës pas vitet 2016.
Sipas dokumentave, në datë 30 nëntor 2016, Ministria e Shëndetësisë, ka akorduar 60 milion lekë për “materiale mjeksore ortopedike” për Spitalin e Traumës. Nje kontratë me afat 24 muaj.

Pas përfundimit të saj, Spitali i Traumës, rishpall tenderin më datë 5 gusht 2019, me fond 195 milion lekë , po me afat 24 muaj. Por që sipas dokumenteve ky tender është anuluar në datën 9 shtator, pasi asnjë firmë nuk përmbushte kushtet e kërkuara.

Në shtator të 2019, Spitali i Traumës bën një tender emergjent për proteza, me fond 15 milion lekë. Ndërkohë që në të njëjtën kohë rishpall tenderin kryesor.

Sipas dokumentave, fituesit e tenderit kryesor me fond 2 milion euro janë shpallur në datën 28 tetor 2019. Firma fituese duhet të furnizonte me proteza Spitalin e Traumës për një përiudhë 2 vjeçare. Kjo kontratë përfundon në tetor të 2021. Por edhe pse kontrata vazhdon të jetë në fuqi, 31 vjeçarit që u ankua në Fiks Fare i duhet ta sigurojë privatisht protezën, ose duhet të presë operacionin e planifikuar edhe pse ka 5 vite që pret./Tch e