Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit me një ceremoni zyrtare nga Presidenti Bajram Begaj. Të dy patën një konferencë për shtyp, ku shprehën vlerësimet e tyre për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Një ndër çështjet e diskutuara mes Presidentëve ishte edhe ajo e energjisë dhe gazit. Aliyev u shpreh se Azerbajxhani është gati të ndihmojë, për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.
“Në të njëjtën kohë lidhur me infrastrukturën e gazit, vendi ynë kërkon ta ndihmojë për zhvillimin e saj në Shqipëri. Kemi folur për këto alternativa. Ka shumë ide. Deri më tani nuk ka pasur një infrastrukturë të mirëzhvilluar në Shqipëri. Azerbajxhani mund të marrë pjesë si investues në këtë fushë. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë”, u shpreh Presidenti i Azerbajxhanit.
Ai vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në projektin e TAP, dhe tha se gazsjellësi që kalon përmes Shqipërisë pritet ta dyfishojë kapacitetin për në Evropë deri në vitin 2027.
“Sigurisht ndaj pikëpamjen tuaj sa i takon fushave ekonomike dhe të industrisë për të pasur takimin e parë të grupit të përbashkët, sepse ka shumë çështje për të diskutuar. Kemi folur për bashkëpunimin tonë në fushën e gazit, si për arritjet që kemi përftuar po kështu edhe për punën që shtrihet përpara nesh.
Megjithatë mendoj që ka mundësi shumë të mira edhe në fusha të tjera dhe ndërveprimi midis kompanive shqiptare dhe azerbajxhanase, në turizëm, bujqësi në teknologjitë moderne e di që të gjitha këto fusha janë përparësi për të dy ne, kësisoj në këto fusha jam besimplotë që do të bëjmë hapa përpara vendimtare.
Sa i takon furnizimit me gaz, Azerbajxhani dhe Shqipëria janë anëtarë të projektit TAP dhe gjithashtu edhe në zbatimin e Korridorit Jugor të gazit, vendet tona kanë bashkëpunuar me shumë sukses. Nën drejtimin tonë ka patur takim të këshillit të 1 mijë përfaqësuesve të gazit, ndërkohë që Shqipëria ka marrë pjesë në të gjitha takimet e këtij këshilli.
Aktualisht gazi natyror i Azerbajxhanit po i kontribuon sigurisë energjetike të Europës. Në këtë korrik patëm Komisionin mes BE dhe Azerbajxhanit. Nënshkruam memoranumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin strategjik dhe deri në 2027 mbështetur në këtë memorandum, kemi planin të dyfishojmë vëllimin e furnizimeve me gaz për Europën. Ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë. Depozitat tona të energjisë së gazit janë shumë të pasura”, u shpreh Aliyev.