Agron Shehaj është emri i radhës i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar në PD. Këtë detaj aspak të pritshëm e ka dhënë vetë ai, me anë të një statusi në rrjetet sociale.
Deputeti më i votuar pas Lulzim Bashës, Agron Shehaj, shpall kandidaturën për kryetar të kësaj force politike, duke e bërë garën më të fortë.
Me anë të një fotoje ku është ai vetë, dhe pas krahëve mesazhi “Shqipëria bëhet”, Shehaj ka dhënë sinjalet se do të garojë, duke pohuar se vendi ka nevojë për PD-në.
Ai sqaron mes rreshtave se konkurrimin nuk e sheh si një garë për një post, por si një përpjekje për të forcuar Partinë Demokratike. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Shehaj i qëndron besnik tezës se përparimi vjen përmes ndryshimit, dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.
Statusi
Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!
Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.
Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.
Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurrimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.
Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.
Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej.