Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë zyrtarisht për mediat pas akuzave për krime lufte nga Gjykata Speciale. Ai u shpreh se nëse do të konfirmohen këto aktakuza, do të japë dorëheqjen nga posti i tij. Në një deklaratë për mediat, Thaçi ka theksuar se nuk do të lejojë që “akuzat false” të zhvendosin vëmendjen nga anëtarësimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtare.
Sakaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në “Debat Plus” ka thënë se çështja e dorëheqjes s’e ka rëndësinë e parë, por kryesorja është që të fokusohet Kosova tek menaxhimi në lidhje me aktakuzat e mundshme.
“Çështja e dorëheqjes nuk e ka rëndësinë e parë, mendoj që kryesorja është që Kosova me u fokusu në një menaxhim me këtë që po ndodhë, paralajmërimi për aktakuza të mundshme.
Kur po them menaxhimi se si Kosova me vepru që me ru interesin nacional që kjo goditje që ka ndodhë, mos me i shkaktu pasoja të pariparueshme. Sikurse dihet parimisht nuk e kam përkrah këtë gjykatë, pasi që kam besu që e njëjtë të jetë në Kosovë, kjo do të ishte një hetim për fitore të shumëfishtë.
Në atë kohë kur kemi kundërshtu gjykatën, s’kem kundërshtu vendosjen e drejtësisë për të gjithë viktimat as s’kemi hezitu mu përballë me drejtësinë”, tha ndër të tjera Haradinaj.