Gazetari Arian Çani, i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Provokacija” është shprehur se kriza politike që ka mbërthyer vendin nuk do të ketë asnjëherë zgjidhje, ndërsa shtoi se nuk duhet t’i bëjmë njerëzit të ëndërrojnë kot.
“Nuk ka zgjidhje. Mendimi im është që nuk do ketë zgjidhje asnjëherë.
Mirë është që ne që të paktën kemi një foltore, një mundësi nga një ekran i caktuar siç është Klan apo ABC-ja mirë është që aq sa mundemi, me aq sa na dëgjojnë ata që na kanë xhan, apo që na kanë inat, mos t’i bëjmë kot të ëndërrojmë. Nuk do ketë zgjidhje. Kjo nuk është pesimiste ta thuash”, tha Çani.
Po ashtu, gazetari deklaroi se në vendet fqinje respektohet më shumë vota se në vendin tonë, duke thënë se vetëm këtu vazhdon e paragjykohet fituesi.
“Ne jemi një vend ku zgjedhjet dhe vota nuk respektohet. Ndërkohë që vota respektohet shumë mirë në Maqedoni, në Kosovë, në Mal të Zi.
Vetëm tek ne vazhdon të ndodhë që fituesi të paragjykohet dhe me të drejtë sepse faktet, interpretimi i tyre, janë të mjaftueshme që të na bëjnë të besojmë se nuk ka palë të drejta dhe palë të gabuara.
Është luftë për pushtet dhe unë them që kjo luftë do të vazhdojë dhe patjetër që dikush do humbasë nga kjo luftë. S’mund të vazhdohet me këtë histori që të bëhet luftë dhe të gjitha palët të dalin të fituara”, u shpreh Arian Çani.