Nga: Preç Zogaj
Një opozitë, e cila as në një sëmundje që bie një herë në shekull nuk gjen dot forcë të bëhet bashkë me shumicën, nuk i duhet as dreqit e jo më popullit shqiptar!”, shkruante Kryeministri Rama dje në “Facebook”. Duhet thënë se ky mund të jetë më i buti në vargun e prononcimeve ku zoti Rama nxiton të prishë përmes një gjuhe të papërshtatshme çdo urë të mundshme bashkëpunimi me opozitën. Në statuset e mëparshme, ai ka përdorur rëndom sharje dhe epitete shumë më të rënda, ku më tingëlluesja ka qenë fjala “lehaqen”.
Është e qartë se bashkimi kundër armikut të përbashkët ose kuptohet krejtësisht gabim nga zoti Rama sikur opozita dhe gjithë të tjerët duhet t’i mbajnë ison e t’i bëjnë fresk qeverisë, ose ai e përdor fjalën bashkim sa për të larë gojën e për të qenë brenda, ndërsa investohet qëllimshëm me fjalë e veprime për të mbajtur një gjendje konflikti. Që konfliktualiteti i kërkuar me opozitën ngjan të jetë menduar si një kartë elektorale nga kryetari i shumicës, kjo duket edhe në shumë “beteja” të tjera të sajuara ku ai dhe bashkëpunëtorët e tij me të ngushtë janë investuar. Po kjo është një temë më vete, së cilës do t’i kushtojnë vëmendje në shkrimet e ardhshme. Le të qëndrojmë te Covid-19.
Bashkimi i forcave dhe vullneteve kundër këtij virusi të rrezikshëm që po torturon botën mbarë është një domosdoshmëri e kohës. Po si mund të jemi bashkë në këtë betejë të jashtëzakonshme ku janë në lojë shëndeti publik dhe jetët e qytetarëve?
Po kufizohem të vë në dukje dy “rregulla” bashkimi, të rrokshme për çdo mendje normale. E para, duke bërë sekush punën e vet. Qytetari të veten, mjeku të vetën, ministri të vetën e kështu me radhë. Në rrafshin politik, kjo do të thotë që qeveria të bëjë punën e qeverisë, opozita punën e opozitës. Natyrisht, për vetë specifikën e betejës dhe rreziqeve, është e nevojshme të moderohet gjuha edhe nga opozita dhe të ketë gjithnjë një pikë takimi të ligjërimeve në synimin e përbashkët për t’ia dalë sa më mirë e për ta kaluar me sa më pak humbje. Kjo nuk do të thotë të mbyllet opozita, siç mund të imagjinojë ndonjë mendje e prishur. Më mirë një shtyp me abuzime sesa abuzime pa shtyp, thekson një shprehje e njohur për lirinë e shtypit. Në analogji, më mirë një opozitë që tepron, sesa pa opozitë. Ketë e them në parim, por po të shohim qëndrimet e opozitës, mua më duket se kryetari i saj, së paku dhe kur flet kryetari, ka folur vetë subjekti politik, u ka dhënë e po u jep zë problematikave dhe rasteve konkrete të pandemisë në vend, duke mbajtur qëndrime e artikuluar propozime që i mendon si zgjidhjet më të mira. Në ligjërimin e tij tregohet me gisht ose akuzohet herë pas here Qeveria dhe Kryeministri, pa përdorur epitete fyese dhe sulme personale në adresë të kundërshtarit.
Këtë bëjnë të gjitha opozitat në vendet demokratike. Edhe për pandeminë. Nuk mbyllin gojën, nuk lënë pa ngritur probleme me gjuhën e përshtatshme, që kërkon beteja kundër armikut të përbashkët. Nuk po flasim këtu për SHBA, ku sjellja ndaj pandemisë nga Presidenti Trump ishte kali i betejës së sfidantit të tij, tashmë President i zgjedhur, Biden. Në shembullin e SHBA-së, askush nuk do të skandalizohej që edhe në Shqipëri opozita ta shndërrojë në betejë elektorale çështjen e sjelljes ndaj koronavirusit, sado që kjo nuk duket se po ndodh e ndoshta edhe nuk do të ndodhë. Gjithçka do të varet nga ecuria e treguesve. Me fjalë të tjera, është shumë libreske, skolareske dhe madje e trashë të mendohet se lufta kundër Covid 19 duhet të anulojë opozitarizmin.
E përsëris se në rrethana të tilla opozita moderon gjuhën dhe shmang ndërtimin e një narrative të mbështetur në raste sporadike, por ajo e ka për detyrë të mbajë nën kontroll veprimin e qeverisë dhe të shprehë qëndrimet e veta publike. Po të jetë se thotë vetëm gënjeshtra kjo i kthehet ne boomerang asaj. Nëse zoti Rama mendon seriozosht se kjo betejë ka nevojë për bashkim, ai duhet të mbajë parasysh se opozita mbetet opozitë, bashkimi duke dëshiruar një opozitë të kastruar apo fasadë nuk i vlen askujt dhe nuk mund të ndodhë.
E dyta, qeveria e shërben bashkimin duke reaguar me një gjuhë normale ndaj propozimeve dhe shqetësimeve të opozitës dhe kryesorja, duke konsideruar e njohur propozime të arsyeshme që vinë prej saj. Që prej fillimit të pandemisë, qeveria ka marrë herë pas herë disa vendime që janë kërkuar më parë nga opozita dhe që ajo, qeveria, i ka anatemuar para se t’i merrte. Është e qartë se opozita ka fjalën, qeveria veprimin. Opozita që thotë është më e shpejtë dhe e ka më të lehtë se qeveria që bën. Kurdoherë. Nga kjo pikëpamje, qeveria mund të jetë natyrshëm “më e vonuar” në kohë se opozita. Ajo nuk humbet gjë nga kjo nëse do të sillej normalisht me propozimet e opozitës, duke i pranuar apo hedhur poshtë me argumente. Çudia është përse qeveria, pasi merr një vendim që është paralajmëruar nga opozita, nuk thotë një fjalë falënderimi qoftë edhe për kortezi për opozitën.
Që prej fillimit dhe sidomos kohët e fundit opozita dhe shumë mjekë e personalitete publike pa afilicione partiake kanë ngritur me forcë tri çështje në lidhje me pandeminë: E para, numri i pakët i testeve; e dyta, kohëzgjatja e madhe jashtë afateve të vlefshme të përgjigjeve për testet e kryera; e treta kostoja e madhe që paguajnë shumë qytetarë për analizat, ilaçet dhe shërbime të tjera që detyrohen apo zgjedhin t’i marrin në shtëpi. Politika e testeve të pakta që ka ndjekur Shqipëria, nuk i numëron dot në kohë reale apo në kohën e duhur të prekurit nga virusi. Kjo politikë ka synuar të mbajë nën kontroll numrat e komunikatave dhe jo të vetë pandemisë.
Në vetëkurdisjen e saj propagandistike, qeveria shqiptare ka guxuar ta konsiderojë të panevojshëm rritjen e numrit të testeve. Së fundi, po flitet edhe në strukturat shtetërore e qeveritare për nevojën e shtimit të tyre. Vonesat deri gjashtë e shtatëditore në dhënien e përgjigjeve te testeve të kryera nga qytetarët kanë shkaktuar trauma, madje edhe tragjedi. Kushdo që është marrë me pandeminë, ka një evidencë me raste konkrete të këtij bilanci tragjik. Komiteti i Ekspertëve në fillim dhe zyrtarët e qeverisë më pas njoftuan kësaj jave futjen e testeve të shpejta, që japin përgjigje për dyzet minuta. Këto teste mund të kryhen pranë qendrave shëndetësore dhe spitaleve rajonale, kanë thënë anëtarët e Komitetit dhe zyrtarët e lartë të sistemit shëndetësor.
Ky është një lajm i shumëpritur. Mbetet për t’u parë si po zbatohet e kur do të fillojë të zbatohet konkretisht e masivisht. Në rrafshin e njoftimit, ky lajm tregon se qeveria e sheh të domosdoshme të veprojë qoftë për shtimin e testeve, qoftë për shpejtësinë e dhënies së përgjigjeve, madje edhe për përfshirjen në “betejë” të spitaleve rajonale. Po, për çfarë është bërë debati, për çfarë ka ngritur zërin opozita prej javësh e muajsh? Për testet, pikërisht për testet. Për angazhimin e spitaleve rajonale. Ndërsa po reagon, qeveria nuk ka thënë një fjalë të vetme që do të kishte një sens njohjeje (nuk po shkoj aq larg sa të them mirënjohjeje) për opozitën, që po ngulmon për këto standarde. Madje, ka vazhduar me retorikë sulmesh. Çfarë bashkimi kërkon kur pasi bën atë që ka thënë opozita, vazhdon t’i thuash “plaç” apo më keq akoma “lehaqen”?! Në mos qofshin hipokrizi, thirrjet për bashkim në këto kushte janë marrësi e pastër.
E shënuam në krye: bashkimi është i domosdoshëm. Por bashkimi është art me vete dhe ka rregullat e vetat, dy prej të cilave u përpoqa t’i parashtroja në këtë shkrim./Panorama