Nga: Mustafa Nano
Në kohën që bëja programin “Deja Vu”, metoda ime e punës ishte e thjeshtë: Takohesha sy më sy me të ftuarin, zakonisht në ndonjë bar të Tiranës, dhe përcaktonim ose argumentet e bisedës, mbi bazën e të cilave mua më duhej të zgjidhja fotot, ose unë ofroja foto të mundshme që të ngacmonin fantazinë, mbi bazën e të cilave i ftuari do të duhej të vërtiste bisedën në studio. Kishte edhe të ftuar që nuk donin t’ia dinin hiç se ç’foto do t’u nxirrja. “Nxirr ç’të duash”, më thoshin. Por këta ishin të rrallë. Të shumtët donin të kishin një ide mbi fotot, që unë do të shfaqja në ekranin e studios së “Deja Vu”-së që ishte ngritur brenda Piramidës. Mes këtyre ishte edhe Tinka Kurti, e cila, me emrin, me pamjen e me atë që kishte bërë, më kishte shoqëruar gjatë fëmijërisë e adoleshencës, ashtu siç më kishin shoqëruar edhe celebritete të tjera të atyre kohëve. Dhe unë kam pasur probleme me njerëz të tillë. Para se t’i takoja për herë të parë kam qenë i përndjekur nga ideja se, në mos për një gjë, me siguri për një gjë tjetër, do të më zhgënjenin. Dhe më duhet të them se disa syresh më kanë zhgënjyer keq, aq keq sa më duket se më janë në borxh e në një mënyrë a në një tjetër duhet të më kompensojnë. Sepse nuk është sëkëlldi e lehtë të zhgënjehesh. Dhe ata që të zhgënjejnë duhen bërë të ndihen përgjegjës, ndonëse unë e di se një pjesë të përgjegjësisë duhet ta mbajnë edhe ata që zhgënjehen. Në mos për gjë tjetër, të paktën për faktin që kanë krijuar në kokën e tyre personazhe që nuk puqen fare me personin.
Por Tinka Kurti nuk më zhgënjeu. Ajo ishte në lartësinë e mendimit që unë kisha për të: E fisme, elegante, plot skofi, solare. Kur ajo ishte shend e verë, nuk është se kjo gjendje e hareshme mbyllej te buzët e saj, që qeshnin a buzëqeshnin. Jo, ishte e gjithë pamja e saj që buzëqeshte a qeshte. Deri edhe kindat e fustanit merrnin diçka prej haresë së saj. Kjo, m’u duk mua, ishte tipari që e dallonte atë më së pari. Folëm pastaj për programin, të cilin ajo e njihte mirë, pasi e kishte ndjekur në vijimësi, dhe pastaj për bisedën që do të bënim në studio. Dhe e gjitha kjo nuk na hëngri më shumë se 15 minuta. Pjesën tjetër të kohës e harxhuam duke folur për teatrin e për kolegë të Tinkës, të cilët nuk jetonin më. Dhe ajo që nuk lodhej së rrëfyeri për ta. Të jepte përshtypjen e një njeriu që kishte pasur një jetë të mbushur.
Biseda gjatë regjistrimit rrodhi lehtë-lehtë, mu siç rrjedh një bisedë me një njeri, me të cilin të pjek ylli. Nuk mbaj mend për çfarë praktikisht kemi biseduar, por mbaj mend që biseda ishte krejt e lehtë. E lehtë në kuptimin: e kollajtë. Më dha përshtypjen se gjatë atyre minutave që ishte në studio, nën vëzhgimin e kamerave televizive, ajo u argëtua. Ishte gjithë kohën në një gjendje të shtendosur, a thua se ishte në ndonjë qoshe oxhaku me të dashurit e vet, e jo në një studio televizive. Ishte nga ato biseda, të cilat mbarojnë më shpejt sesa fillojnë. Dhe një ndjesi e tillë, më besoni për këtë, nuk u lind shpesh atyre që bëjnë rolin e moderatorit televiziv. Sepse të ftuarit janë zakonisht ose tekanjozë, ose të mërzitshëm në TV. Madje, shumë shpesh, janë jo “ose …, ose …”, por “edhe …, edhe …”
Mora vesh se ajo nuk ishte thjesht aktore. Ishte një grua me interesa, me qëndrime të vetat, që buronin prej leximeve e përvojave, që ajo i kish jetuar intensivisht. Në ndryshim nga të shumtët e aktorëve shqiptarë, nuk ishte kufizuar të lexonte vetëm skriptet apo skenarët e dramave e filmave, në të cilat kishte luajtur. Ajo kishte bërë lexime të tjera që nuk kishin fare lidhje me profesionin e saj. Dhe në këtë mes binte në sy që ajo u referohej me dëshirë personazheve e ngjarjeve që kishin të bënin me arealin katolik shqiptar që, të gjithë e dinë këtë, është e mbushur me personazhe e ngjarje, e në përgjithësi me një idiosinkrazi të vetën.
Folëm në telefon pas transmetimit të programit. Isha unë që e telefonova. Doja të dija mendimin e saj mbi bisedën e transmetuar. Ata që nuk janë mësuar shumë me televizionin, dhe Tinka bënte pesë te kjo kategori, nuk janë në gjendje të krijojnë një ide qysh gjatë regjistrimit mbi llojin e bisedës që është bërë. U duhet ta shohin edhe në ekran. Dhe shpesh në ekran u duket një gjë krejt tjetër, a thua se bëhet fjalë për dy gjëra të ndryshme. Por ajo nuk më dha ndonjë opinion të vetin. Më tha se kishte marrë konsiderata të të tjerëve mbi intervistën. Dhe ishin konsiderata që atë e kishin kënaqur.
Një herë të dytë e kam takuar në një aeroport. Në atë të Athinës. Ajo kishte mbërritur dhe po priste e ulur diku pranë daljes. Dikush që duhet të vinte ta merrte, po vonohej. Dhe ajo kishte mbetur vetëm. Se si m’u duk teksa e pashë vetëm, në pritje të dikujt. M’u duk e padrejtë. Zura të mendoja keq për personin që po vonohej, ndonëse nuk e njihja e ndonëse nuk e kisha idenë se ç’hall mund ta kishte gjetur. Dhe u ula për të biseduar një copë herë me Tinkën. Nuk e bëra për t’u dukur zotëri a kavalier, por ngaqë isha i shqetësuar që Tinka Kurtin po e shihja të rrinte e vetme, larg shtëpisë. Ajo ishte ok, nuk kishte asnjë lloj sikleti, ndihej si të ishte në dhomën e vet të ndenjjes, por mendimin se ajo kishte hyrë në të tetëdhjetat nuk e puqja dot me atë sjellje të shkujdesur e konfidente. Dhe mos më thoni që është një gjë e zakontë të shohësh një tetëdhjetëvjeçare të bredhë e vetme aeroporteve të botës. Unë vetë nuk besoj se do të jem në gjendje të udhëtoj i vetëm në atë moshë. Thjesht ideja e një rrethane të tillë më shastis. Kështu që, t’i bëja pak shoqëri Tinkës në Eleftherios Venizellos ishte cytja më normale që mund të kisha së brendshmi në atë moment. Dhe m’u duk se asaj i erdhi mirë që unë u ktheva prej rrugës sime, ndonëse në të vërtetë nuk kisha ndonjë ngut. Dhe mua më erdhi mirë që asaj i erdhi mirë./ Gazeta Liberale