Nga: Marcelo Gleiser “CNN”
Unë mbusha 61-vjeç javën e kaluar, dhe tani jam bashkë me miliona të tjerë në mbarë botën, brenda grupit të rrezikut më të lartë nëse prekemi nga Covid-19. Para kësaj pandemie, e jona kishte qenë gjenerata që së bashku me miliarda të tjerë më të rinj, dhe pak më të moshuar se unë, kishin shmangur një krizë të madhe globale.
Në dallim nga prindërit dhe gjyshërit tanë, ne nuk u përballëm me tragjedinë e të jetuarit përmes dy Luftërave Botërore. Ne shmangëm luftën bërthamore gjatë Krizës Kubane të Raketave të vitit 1962, dhe Luftën e Ftohtë. Po tani, fati ynë ka mbaruar. Me pandeminë që po godet me gjithë forcën e saj në të gjithë globin, është e lehtë të shohësh me mosbesim numrin në rritje të vdekjeve.
Por pandemia është këtu, dhe gjërat do të përkeqësohen para se të përmirësohen. Se sa keq do shkojnë gjërat, kjo gjë varet nga të gjithë ne. Dhe këtu është lajmi i mirë. Viti 2020, do të mbahet mend si një pikë kthese në historinë njerëzore. Jo vetëm sepse shumë njerëz do të vdesin, por sepse pandemia e Covid-19, po na jep një shans për të rishpikur veten.
Luftërat i detyrojnë qytetarët e një kombi, të reagojnë si një trup i vetëm. Kur qytetarët e një vendi ndodhen nën sulm, ata mobilizohen për t’u përballur me armikun e përbashkët. Kur SHBA-ja hyri në Luftën e Dytë Botërore, fshatrat copëtuan gardhet prej hekuri dhe i mblodhën për t’i dërguar në fabrika, ku u shndërruar në tanke dhe makina të blinduara; me qëllim që të mposhtnin armikun.
Pra frika nxiti veprimin. Tani ne përballemi me një armik global, që nuk i identifikon objektivat e tij sipas preferencave fetare, racore, gjinore ose politike; një virus nuk interesohet aspak për hartat dhe kufijtë. Ajo që ka rëndësi për të, është se që të gjithë jemi pre të mundshëm të tij, pavarësisht se kush jemi apo ku jetojmë.
Nën lentet e ftohta të seleksionimit natyror, drama e jetës shpaloset pa asnjë gjykim moral: gjithçka vlon për të jetuar dhe riprodhuar. Perversiteti i një pandemie virulente, është se të prekurit e përhapin sëmundjen, duke përshpejtuar vdekjen e anëtarëve të specieve të tyre.
Pasi të infektohemi, ne mund të vrasim të gjithë ata që kemi pranë, përfshirë familjen dhe miqtë. Covid-19 do të na ndryshojë ne si specie. Ne duhet të reagojmë jo vetëm si kombe që luftojnë një armik, por si një specie që lufton për mbijetesë. Virusi nuk do të na zhdukë. Por ai po na shkakton dhimbje dhe humbje të mëdha, po destabilizon tregjet globale, dhe e ka shndërruar jetën sonë të përditshme në një peizazh surreal.
Dobësia dhe bashkë-varësia jonë, janë ekspozuar hapur. Natyra nuk do t’ja dijë për arrogancën tonë. Një organizëm i vogël, po na detyron të rishikojmë vlerat, ndarjet, zgjedhjet tona, ndërsa jemi izoluar brenda shtëpive tona me anëtarët tanë më të afërt të familjes, dhe po presim se çfarë do të vijë më pas.
Ne jemi në ankth, duke imagjinuar se çfarë do të ndodhë nëse humbasim lidhjen në internet, nëse na mbaron ushqimi dhe burimet financiare, apo më keq, në rast se prekemi nga virusi.
Do të ishim naivë por të mos përqafonim mesazhin qendror:që duhet të bëhemi bashkë për të mbijetuar, se jemi të brishtë, megjithë aftësinë tonë për të krijuar dhe shkatërruar, se ndarjet tribale që kanë diktuar zgjedhjet tona morale gjatë mijëvjeçarëve të kaluar, duhet të lihen mënjanë për të mirën tonë.
Ne po hyjmë në epokën e tejkalimit të ndarjeve fisnore, në kohën kur speciet tona do të fillojnë të veprojnë si “koshere” njerëzore, duke punuar në të gjithë planetin si anëtarë të një komuniteti speciesh të gjalla, dhe jo si një parazit destruktiv. Një fis, që e përqafon diversitetin dhe të mirën e përbashkët.
Ne mund të shohim që tani shenjat e një zgjimi. Në Itali, një vend i shkatërruar nga humbja, njerëzit po këndojnë bashkë nga ballkonet e tyre, duke vlerësuar jetën dhe komunitetin. Interneti na ndihmon jo pak, edhe pse jemi të distancuar fizikisht nga njëri-tjetri.
Fëmijët tanë do të humbasin shkollën, miqtë e tyre dhe mësuesit. Neve do të na mungojë vendi i punës, jeta e natës, anëtarët e familjes që ndodhen larg, apo shoqëria me miqtë. Bashkëvarësia jonë globale, është thelbësore për mbijetesën tonë dhe për stabilitetin e shoqërisë, si në aspektin emocional ashtu edhe atë praktik.
Ku do të ishim ne pa punonjësit tanë të kujdesit shëndetësor, dhe pa ata që furnizojnë shtëpitë tona me energji, dhe ata që i mbajnë plot raftet e supermarketeve, dhe të sigurta rrugët? Ne duhet të mendojmë kolektivisht si një “koshere” njerëzore, ku secili prej nesh luan një rol thelbësor.
Hapat e parë janë të thjeshtë:të jemi të përulur përballë asaj që nuk dimë, të shfaqim respekt ndaj natyrës dhe fuqive të saj, dhe të punojmë bashkë për të ruajtur jo vetëm jetën tonë, dhe atë të të dashurve tanë, por edhe jetën e të gjithëve në “kosheren” tonë, të rinj dhe të moshuar, duke festuar për dhuratën e të qenit gjallë.
TIRANA TODAY