Kuvendi pritet të miratojë sot projektligjin për “Lojërat e fatit”, i cili i hap rrugë mbylljes së aktiviteteve të kazinove dhe basteve pas 31 dhjetorit. Gjatë seancës së sotme, do të mungojë sërish opozita, e cila i ka bojkotuar të gjitha punimet e Kuvendit që në fillim të këtij sesioni.
Më datë 23 tetor, Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet për “Lojërat e Fatit”, dhe i hapi rrugë votimit në Kuvend. Ndërkohë kreu i këtij komisioni, Erion Braçe, tha se ky ligj mund të hyjë menjëherë në fuqi, pasi për këtë nuk ka patur asnjë rezervë nga presidenti Meta.
Ligji për Teatrin
Mazhoranca do të shqyrtojë sot në Kuvend edhe dekretin e presidentit Meta, që ktheu sërish për rishqyrtim ligjin që i hap rrugë ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar. Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi, tha se dekreti është përfshirë në axhendën e Komisionit, që shqyrtimi të bëhet ditën e enjte.
Pritet që dekreti të rrëzohet, dhe për rrjedhojë ligji hyn në fuqi menjëherë, pasi e drejta e presidentit për ta kthyer ligjin është vetëm një herë. Nuk dihet ende nëse opozita do marrë pjesë sot në seancë, kur të shqyrtohet dekreti i kreut të shtetit.