Prokurorja e Elbasanit, Erida Kamka (Kokonozi), për fat të keq nuk e ka fituar dot betejën me një sëmundje të rëndë. Hetuesja 39-vjeçare në Prokurorinë e Rrethit Elbasan ka ndërruar jetë ditën e sotme, pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shprehur ngushëllimet, për ndarjen e parakohshme nga jeta të prokurores Erida Kokonozi.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpreh ngushëllimet e sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta, në moshën 39-vjeçare, pas një sëmundje të gjatë, të prokurores Erida Kokonozi, e cila e ushtronte detyrën në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Elbasan.
Zonja Kokonozi ka qenë një nga magjistratët e spikatur të sistemit të prokurorisë, e cila e ka nderuar figurën e prokurorit, duke treguar një shkallë të lartë integriteti dhe profesionalizmi në ushtrimin e detyrës.
Komuniteti i prokurorëve do ta kujtojë znj. Kokonozi përherë me nderim, për kontributin e saj të çmuar në fushën e drejtësisë. U shprehim ngushëllimet tona familjarëve dhe të afërmve, për ndarjen e saj nga jeta”, thuhet në njoftim.