Çmimi i naftës është shtrenjtuar sërish, duke shkuar në 248 lekë litri. Vendimi i Bordit vjen pas shtrenjtimit të naftës në bursa në rreth 120 dollarë për fuçi, pasi BE vendosi që të ndalojë furnizimet me naftën ruse, përveç karburantit që vjen përmes tubacioneve tokësore. Në krahasim me vendimin e fundit, të datës 27 maj, nafta është rritur me 9 lekë për litër. Në lidhje me këtë ka reaguar deputeti demokrat Xhelal Mziu, i cili thotë se kjo është një shifër historike. Ai thotë se jemi vendi me çmimin më të lartë të naftës në botë, e po kështu me pagën më të ulët në botë. Zgjidhja që propozon deputeti janë protestat.
Ja se çfarë shkruan Xhelal Mziu
Qeveria e rilindjes rrit çmimin e naftës në 248 lekë/litër ose 2,01 Euro/litër, shifër historike!
Sipas njoftimit të Bordit të Transparencës, kuptohet me urdhër të Kryeministrit, çmimi i naftës kap vlerën maksimale 248 lekë/litër.
Në vitin 2008 dhe pse ishte krizë botërore dhe çmimi i një fuqie naftë shkoj aq sa sot, çmimi i naftës në Shqipëri ishte 40% më i ulët se sa sot!
– Jemi vendi me çmimin më të lart të naftës në botë!
– Jemi vendi i vetëm me pagën më të ulët në botë!
– Jemi i vetmi vend në botë që qeveria përcakton çmimin e karburantit, jo tregu i lirë!
– Jemi i vetmi vend në botë, që FMN kërkon që të mos përcaktoj Bordi (Qeveria) çmimin, por tregu i lirë!
–Jemi i vetmi vend në botë që 60% e vlerës së naftës shkon për tvsh, aksizë, taksë qarkullimi, taksa, tatime dhe tarifa të ndryshme!
Kjo është qeveria që S’DUAM, ndaj duhet të reagojmë me revolta popullore, çdo qytetarë shqiptarë.