Kreu i Grupit Parlamentar Demokrat, Myslim Murrizi, është shprehur i vendosur se nuk do ta votojë reformën zgjedhore pa ndryshim të sistemit, futjen e listave të hapura dhe garantimin e votës së emigrantëve. I ftuar në studion e ‘Ilva Now’, mbi marrëveshjen e fundit në Këshillin Politik, Murrizi tha se pakti është noterizim i marrëveshjes së arritur nga PD-PS më 21 prill 2008.
“Noterizimit të marrëveshjes së 21 prillit 2008, në mënyrë hipokrite po i vihet emri reformë zgjedhore. Nga 2008 e deri tani nuk është vënë dorë në Kodin Zgjedhor, sepse u ka ardhur përshtat dy kryetarëve të partive të mëdha”, tha deputeti opozitar.
Më tej, ai hodhi ‘bombën’ e radhës se dy nga firmëtarët e marrëveshjes, nuk u jepet vizë amerikane. Ai solli në fokus vizitën e tij në SHBA në muajin dhjetor, ku dhe e kanë kontrolluar për vizë.
“Po të jetë me vizë, një ose dy prej tyre nuk e di a shkelin dot në SHBA. Ata katër veta janë, njëra është nënshtetase amerikane, tre mbeten nga ata, dy nuk hyjnë dot në SHBA. Kur kam qenë në dhjetor në SHBA, më kanë kontrolluar për vizë. Kurse në rezidencë nuk na kërkuan gjë”, tha Murrizi.