Prej ditësh tashmë ka qarkulluar në media lajmi se këngëtarja Morena Taraku ka shmangur taksën doganore duke manipuluar të dhënat për makinën luksoze.
Këngëtarja ka deklaruar se makina e saj e tipit “Bentley” me vlerë 235 mijë euro është e re, pasi sipas kodit doganor në Kosovë, makinat e reja nuk i nënshtrohen një takse.
Por dogana ka konstatuar se makina ishte regjistruar në Gjermani që në datën 22 korrik dhe ka kaluar 2,194 km, e për këtë shkak këngëtarja duhej të paguante taksë. Megjithatë, edhe pse ajo i u shmang taksës prej 14 mijë e 118 eurosh, Prokuroria Themelore e Prishtinës vendosi të mos e ndjekë penalisht Morenën.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe avokatja Flutura Kusari, e cila akuzon Prokurorinë se pavarësisht provave që posedon, ata e kanë mbyllur rastin.
“Prokurori i parë që në mënyrë flagrante është duke tentu me e shkelë me dy këmbë Ligjin Fantastik për Mbrojtjen e Sinjalizuesve është prokurori Shpend Krasniqi, si duket me ndihmën e prokurorit Kujtim Munishi.
Morena Taraku dyshohet që ka importu veturë në vlerë rreth 300 mijë euro duke iu shmangur tatimit. Prokuroria, edhe pse e ka pasur këtë informatë dhe goxha disa prova të siguruara nga dogana, e ka mbyllur rastin. Dyshohet që prokurori Kujtim Munishi e ka urdhëru mbylljen e hetimeve për rastin e Morena Tarakut.
Kallxo ka raportu për këtë rast dhe prokurori Shpend Krasniqi në vend se të rinisë hetimet pas raportimit të mediave, paska filluar hetimet për të gjetur sinjalizuesit, pra personat që i kanë dhënë informacione gazetarëve.
Ligji e ndalon në mënyrë specifike nisjen e hetimeve kundër sinjalizuesve dhe ndjekja e tyre është vepër penale.
Këta sinjalizues kemi me i mbrojtë”, shkruan Kusari.