Bashkia e Shkodrës shprehet e vendosur për të respektuar deri në fund dekretin e Kreut të Shtetit Ilir Meta për të mos zhvilluar zgjedhjet vendore më 30 qershor. Bashkia e Shkodrës ka mbyllur dyert e disa shkollave në mënyrë që të mos shërbejnë si qendra votimi për zgjedhjet e së dielës.
“Bashkia e Shkodrës ka ripërsëritur njoftimin për ish-KZAZ-të, të cilat në shkelje të Dekretit te Presidentit, vazhdojnë të konsiderohen të tilla nga KQZ. Shkresat zyrtare janë një mundësi për të paralajmëruar dhe ndihmuar të mos shkelin ligjin, të gjithë individët e paautorizuar që mund të tentojnë të hyjnë në asetet në pronësi e administrim të Bashkisë Shkodër. Jemi të vendosur t’i menaxhojnë në zbatim të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Në çdo rast që do të cenohen institucionet, të gjithë shkelësit do të kallëzohen penalisht”, thuhet në njoftim e Bashkisë.