Policia e Shteti ndodhet në fazën e ristrukturimit, ndërsa ditët e fundit janë bërë ndryshime në strukturat drejtuese. Përfaqësuesit e policisë kanë deklaruar se kjo bëhet për arsye të frymës së re dhe të nevojshme që i duhet rendit dhe sigurisë publike.
Policia e Shkodrës nga sot do të ketë një drejtor të ri. Vehbi Bushati është emëruar si drejtor i Policisë së Shkodrës. Bushati zëvendëson në këtë detyrë Gjovalin Lokën, i cili dy ditë më ka marrë postin e Drejtorit të Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit.
Bushati vjen në Shkodër pas një karriere të gjatë në Policinë e Shtetit, ku ka mbajtur detyra të rëndësishme si shef komisariati në disa rrethe të vendit, zëvendësdrejtor dhe drejtor në qarqet: Shkodër, Lezhë, Dibër, Korçë, Vlorë.
Ndërkohë ai ka mbajtur detyra të rëndësishme dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si Drejtori i Krimeve e së fundi prej 4.5 vjetësh mban detyrën e zëvendësdrejtorit të drejtorisë së Antiterrorit, një prej drejtorive më të rëndësishme dhe më të vlerësuarat nga partnerët tanë ndërkombëtare.