Policia e Shtetit ka gjobitur kryebashkiakun e Skraparit, Adriatik Memaj, pasi organizoi një aktivitet duke mos respektuar masat kundër Covid-19.
Memaj është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar më shumë persona në kundërshtim me masat anti-covid.
“Shërbimet e Policisë Skrapar kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin A.M. zyrtar vendor, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 6 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, informon policia.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë qytetarët, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.