Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e presidentit Ilir Meta, i cili kërkoi përjashtimin nga procesi i anëtarëve të kësaj gjykate, me pretendimin se janë të njëanshme. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e përfaqësuesit të presidentit Ilir Meta, për dorëheqjen e trupës së gjyqtarëve. Gjykata konstatoi se asnjë gjyqtar nuk parashtroi kërkesë për dorëheqje. Kushtetuesja është shprehur se kërkesa e kreut të shtetit për gjyqtarët, është haptazi e pabazuar.
“Tre anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese (zonja Xhaferllari, zonja Toska dhe zonja Papajorgji) janë zgjedhur përgjatë legjislaturës së IX-të të Kuvendit (nëntor 2019) kur midis dy organeve Kuvend-President, ka ekzistuar një marrëdhënie e tensionuar dhe konfliktuale, e shkaktuar nga mazhoranca, situatë kjo e cila ka arritur deri aty sa Kuvendi i Shqipërisë ka iniciuar dhe ka vijuar të mbajë të hapur një tjetër proces hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës përgjatë periudhës korrik 2019- korrik 2020, duke parashtruar dy objekte hetimi, për të cilat është kërkuar dy herë angazhimi i Komisionit të Venecias, lidhur me këto dy çështje, dhe konkretisht, për:
Kompetencat e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe që lidhet me çështjen e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore të 30 qershor 2019; dhe për procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese”, thuhej në kërkesën e presidentit.