Nga: Martin Wolf “Financial Times”
Historia përshpejtohet gjatë periudhës së krizave. Pandemia aktuale, nuk mund të transformojë vetëm botën, por ajo mund të përshpejtojë ndryshimet që po ndodhin tashmë. Vitet e fundit, ka pasur një ndryshim të vazhdueshëm në marrëdhëniet midis Kinës, superfuqisë në rritje, dhe SHBA-së, superfuqisë në detyrë.
Të qënit një superfuqi, nuk ka të bëjë vetëm me forcën brutale, por edhe me faktin që ajo duhet të shihet si një udhëheqëse kompetente dhe e denjë e botës. Pas fitoreve në Luftën e Dytë Botërore dhe Luftën e ftohtë, SHBA-ja ishte një udhëheqëse e tillë. Megjithë forcën ekonomike në rritje, Kina nuk është ende e tillë.
Por kohët mund të ndryshojnë. Dhe koronavirusi, mund ta përshpejtojë këtë proces. Kishore Mahbubani, një ish-diplomat nga Singapori, ka shkruar një libër shumë provokues mbi luftën që zhvillohet për supermaci midis dy superfuqive, me një titull po provokues “A ka fituar Kina?” Përgjigja, thotë ai, është ende jo.
Por mund të fitojë. Kjo jo vetëm për shkak të parametrave të saj ekonomike dhe ushtarake, por edhe për shkak të gabimeve të SHBA-së, përfshirë perceptimet e rreme mbi realitetin kinez. Ndoshta përfundimi më i rëndësishëm që del nga analiza e tij, është se ndikimi global rrjedh kryesisht nga zgjedhjet e secilës prej tyre.
Kina dhe SHBA-ja, kanë bërë secila gabime të mëdha. Por dështimi i SHBA-së për të krijuar një prosperitet të përbashkët në vend, dhe armiqësia e saj jashtë vendit, po dëshmohen si shkatërruese. Dhe një nga pasojat është presidenca aktuale, me një mungesë ulëritëse kompetence.
Tani ia ka behur koronavirusi, një ngjarje që nuk merret në analizë në atë libër. Kjo sëmundje e rrezikshme, po vë në një provë të ashpër kompetencën dhe vendosmërinë e superfuqive. Ajo po bën të njëjtën gjë edhe me solidaritetin e BE-së (apo mungesën e tij), efektivitetin e shteteve, cenueshmërinë e financave, dhe aftësinë e tyre për bashkëpunim global.
Në të gjitha këto aspekte, performanca e SHBA-së dhe Kinës ka një rëndësi parësore. Atëherë, çfarë kemi mësuar? Koronavirusi i ri, që po shkakton një rrënim të madh social dhe ekonomik, u shfaq në fillim në provincën Hubei në Kinë. Duket se për këtë ka pak dyshime.
Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA-së thotë se origjina tij, është nga lakuriqët e natës. Në mënyrë të papërgjegjshme dhe tragjike, autoritetet lokale kineze e fshehën lajmin për epideminë, duke shkaktuar një vonesë prej të paktën 3 javësh në marrjen e masave të forta. Ky gabim, lejoi përhapjen e virusit në të gjithë botën.
Megjithatë pas atij momenti, shteti kinez ndërmori masa shumë të ashpra, duke e vënë sëmundjen nën kontroll në Hubei, dhe duke e ndalur përhapjen e saj në të gjithë Kinën. Në lidhje me popullsinë, shkalla e vdekshmërisë në Kinë, ka qenë shumë e ulët.
Edhe shtypja fillestare e lajmeve të këqija dhe shkallës së reagimit, janë tipare të një shteti represiv, por gjithsesi efektiv. Përgjigja efektive ndaj sëmundjes, do të ketë pasur me siguri një kosto të madhe ekonomike në Kinë. Por shteti i inkurajoi punëdhënësit të mbanin në punë punonjësit e tyre, duke u siguruar mbështetje kompanive që e bënin këtë gjë.
Shkalla zyrtare e papunësisë në qytete, është rritur shumë pak. Grupi më i madh i ‘viktimave’, janë si zakonisht punëtorët migrues. Kina mund ta rihapë tani ekonominë e saj, megjithëse ekziston rreziku i një valë të dytë të sëmundjes, ashtu siç ka ndodhur edhe në raste të tjera.
SHBA-ja ka pasur format e veta të mohimit të krizës, përmes deklaratave të turpshme nga presidenti Donald Trump, së bashku me dështime të mëdha në kryerjen e testeve dhe pajisjen me mjetet e duhrua të spitaleve. Po kështu ka ndodhur edhe me Britaninë e Madhe.
Xhefri Saks i Universitetit të Kolumbias, ka kritikuar ashpër mungesën e vullnetit dhe të efektivitetit të autoriteteve në SHBA. Koronavirusi po përhapet me një shpejtësi të frikshme në të gjithë vendin. Situata mund të përkeqësohet shumë. Italia dhe Spanja, tregojnë se më e keqja për amerikanët pritet ende të vijë.
Megjithatë, SHBA-ja ka një pengesë shtesë nga një sistem shëndetësor difektoz. Ashtu si vendet e tjera me të ardhura të larta, edhe SHBA ka futur në zbatim “distancimin social”, megjithëse Trump e zgjati në kohë pas shumë hezitimesh, dhe me një plan të emergjencës prej 2 trilionë dollarë.
Roman Frjadman nga Universiteti i Nju Jorkut, argumenton se kjo shumë nuk është as shumë e madhe, po të kihet parasysh madhësia e ekonomisë amerikane, dhe as e mirë-fokusuar: vetëm 1/20 e kësaj shume do të shkojë për spitalet, ndërsa fondet për qeveritë lokale janë minimale.
Më e keqja nga të gjitha, thotë aktivisti veteran kundër korrupsionit, Frenk Vogël, është një fond prej 500 miliardë dollarësh për korporatat e mëdha, që mund të jenë nën kontrollin e pambikëqyrur të zotit Trump, një praktikë që është në kundërshtim me vullnetin e Kongresit.
Parimet themelore amerikane të demokracisë dhe lirisë individuale, mbeten tërheqëse për shumë njerëz anembanë botës, pavarësisht rritjes globale të autokracisë populiste. Forca e saj e ekonomisë së saj, ende mund të na shpëtojë.
Por sot SHBA po e humb reputacionin e saj mbi kompetencën më elementare që duhet të zotërojë. Ajo është cënuar tashmë rëndë nga lista e saj e gjatë e luftërave të kota, dhe kriza financiare e viteve 2007-2009. Pjesë të qeverisë, veçanërisht Rezerva Federale, mbeten tani për tani efektive.
Megjithëse kush e di se çfarë do të ndodhte edhe më të në një mandat të dytë të Trumpit? Por aftësia themelore e “shtetit administrativ” shpesh të përçmuar – mburoja e çdo civilizimi urban kompleks – është ajo që ka vërtet rëndësi. Në këto kohë krize, mungesa e saj është vdekjeprurëse.
Për ata nga ne që besojnë në demokracinë liberale, këto dështime të SHBA-së lëndojnë:ato i japin kredite idesë se autokracia funksionon më mirë. Por “vdekja” e vendosmërisë dhe kompetencës tek qeveritë kryesore perëndimore, ka rëndësi përtej kësaj. Pandemia aktuale, është një sfidë morale globale.
Është jetike që ne të përballemi me përhapjen e sëmundjes, të menaxhojmë tronditjet financiare, të stabilizojmë ekonomitë, dhe të ndihmojmë të dobëtit. SHBA-ja duhet të luajë një rol kryesor. Ajo nuk ka asnjë alternativë tjetër. Kjo kohë na ka kujtuar se asnjë njeri nuk është ishull në një pandemi.
Siç thotë edhe Gordon Braun:”Nga kjo krizë duhet të ndodhin reforma në arkitekturën ndërkombëtare, dhe duhet të ketë një nivel krejt të ri të bashkëpunimit global”. Nëse do të ndodhë kjo, disa shtete duhet që ta udhëheqin këtë proces.
Çdo rend global, mbështetet në bashkëpunimin midis shteteve të fuqishme. Kina dhe SHBA-ja, nuk duhet vetëm të funksionojnë. Por ato duhet të funksionojnë bashkë, duke njohur interesat e shumta që i bashkojnë, dhe toleruar dallimet e tyre të mëdha. Nëse jo ne, atëherë kush? Dhe nëse jo tani, atëherë kur?
TIRANA TODAY