Ministria e Shëndetësisë në Kosovë njoftoi një ditë më parë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka marrë donacion prej Serbisë 1 mijë teste për koronavirusin. Një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga kryeministri në ikje, Albin Kurti, i cili ka ngritur shumë pikëpyetje se me çfarë dokumentacioni kanë hyrë këto teste në Kosovë. Ai ka thënë se lidhur me këtë çështje, kompetenca të plota ka Ministri i Shëndetësisë, i cili duhet të japë llogari.
“Për besë, unë nuk i kam parë dokumentacionin e atyre 1 mijë testeve. Besoj që Ministri i Shëndetësisë në detyrë Arben Vitia, është kompetent për t’u përgjigjur. Po ta dija, do t’ua thoja”, tha Kurti në televizionin ‘Dukagjini’.
I mijë teste janë pranuar si donacion nga Serbia, në kuadër të bashkëpunimit midis shteteve të rajonit lidhur me masat kundër Covid-19.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
“Para disa ditësh në IKSHPK janë liferuar 2.100 teste. Sonte arrijnë edhe 2.000 të tjera. 1.000 teste nga Republika e Turqisë janë ende të paprekura në stokun e MSh-së. 1000 teste të tjera janë marrë donacion nga Serbia. Sot shpallet fituesi edhe për 10.000-13.000 të tjera”, ka shkruar Faik Hoti në Facebook.