Nga Rachel Donadio “The Atlantic”
Ka qenë gjithmonë një çështje kohe, përpara se qeveria italiane – koalicioni i parë populist në zemër të Evropës – të rrëzohej. Marrëveshja e koalicionit midis Lëvizjes Pesë Yje anti-establishment dhe partisë populiste të krahut të djathtë, Lega, ka qenë më pak një “martesë e leverdishme”, dhe më shumë një raport tejet transaksional i tipit “më jep, që të të jap”, që vazhdoi të qëndrojë në këmbë për 15 muaj, pavarësisht shumë dallimeve ideologjike.
Pushteti është një afrodiziak i fortë. Por megjithëse Mateo Salvini i Legës – ministri i Brendshëm dhe zv/kryeministri i Italisë, “ylli” më i ndritshëm në populizmin evropian të krahut të djathtë – ka qenë de fakto drejtuesi i vendit prej disa muajsh, ishte ende tronditëse deklarata e tij e të enjtes, kur ai shpalli fundin e koalicionit, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme.
Ishte tronditëse pasi askush, madje as vetë Salvini, nuk e di se si do të rrjedhin më tej ngjarjet. “Ai po luan me zjarrin”- më tha Stefano Foli, kolumnist në të përditshmen italiane “La Repubblica” . Ai po luan ndërkohë edhe me konsensusin në vend. Salvini ka qenë në fakt në një fushatë të përhershme elektorale, që kur u ngjit në pushtet, përfshirë këtu një turne që e kreu këtë verë në plazhet kryesore ku po pushojnë italianët.
Lega renditet sot në sondazhe e para, me rreth 38% të votave. Ndërkohë Lëvizja Pesë Yjet, partnerja kryesore në qeverinë e koalicionit, ka rënë në rreth 17%. Lega ka ta ngjarë t’i fitojë zgjedhjet e reja, ose të paktën të marrë mjaftueshëm vota për të formuar një koalicion qeverisës të ekstremit të djathtë, dhe kjo do të çelte një kapitull të ri:një qeveri euroskeptike, filo-ruse dhe e ekstremit të djathtë, në një nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian.
Vendimi i Salvinit për ta rrëzuar qeverinë tani, jo vetëm që e vendos Italinë në një kurs përplasjeje me Evropën. Por ajo e forcon retorikën populiste të Salvinit kundër realitetit ekonomik. Si një nga politikanët më kameleonë në botë dhe me protagonistë në mediat sociale, çështja e mëdha që trajton Salvini është mbrojtja e kufijve të Italisë, nga ajo që ai e quan një “pushtim” të emigrantëve të paligjshëm.
“Italianët të Parët!”, është motoja e Legës, dhe mbrojtja e sovranitetit italian i kundërvihet qasjes së BE-së, që akuzohet e ka irrituar Italinë me rregullat e saj mbi emigracionin. Salvini nuk po bën thirrje që Italia të largohet nga eurozona, edhe pse e ka thënë këtë në vitin 2014, dhe tani analistët po i bëjnë apel të sqarojë një herë e mirë pozicionin e tij.
Por si Lega ashtu edhe Lëvizja Pesë Yjet, kapitalizuan një votë proteste nga ana e italianëve ndaj partive tradicionale. Ekonomia italiane ka ngecur prej vitesh. Shumica e italianëve, mendojnë se vendi i tyre ka vuajtur pasojat e globalizimit dhe qenien në eurozonë. Ankthi ekonomik, është një dukuri reale.
Kur Salvini njoftoi në tubimin e të enjtes në mbrëmje, se ishte koha t’i jepet fund qeverisë aktuale, në mënyrë që të lihen italianët të zgjedhin një alternativë tjetër, ai e zgjeroi retorikën edhe më tej. “Unë do të jetoj dhe do të vdes një njeri i lirë, dhe jo si skllav i ndokujt”- tha ai, duke iu referuar BE-së.
Ai theksoi se dëshiron që Italia të kthehet “në vendin që na lanë trashëgim gjyshërit tanë”- pra në vitet e lulëzimit ekonomik të pas pasluftës, para ardhjes së euros. “Ne nuk duam që të shkojmë në Bruksel me kapele në duar”- tha ai. Këshilltarët e Salvinit, thonë se ai e ndërmori këtë lëvizje tani, në mënyrë që Lega të ketë një kontroll të plotë mbi një projekt-ligj për buxhetin, që në rrethana normale Italia duhet ta miratonte deri në fund të këtij viti, pasi ta paraqesë atë për miratim në BE, megjithëse afati nuk është i detyrueshëm.
Lidhja po ushtron presion për një taksë të sheshtë, ndërsa Lëvizja Pesë Yjet ka premtuar sistemin e të ardhurave bazike universale – një mosmarrëveshje që nuk mund të zgjidhet lehtë. Por fatura e buxhetit, mund të jetë politikisht e rrezikshme, dhe nëse ai nuk miratohet në fund të vitit, vendi do të duhet t’u imponojë qytetarëve një rritje të ndjeshme të TVSH, për të realizuar angazhimet e marra nga qeveria aktuale.
Italia ka parashikimin më të ulët për këtë vit të rritjes ekonomike, në krahasim me çdo vend tjetër të BE. Në fjalën e tij, Salvini tha se ishte i mërzitur nga mënyra se si Lëvizja Pesë Yjet, kishte bllokuar ligjin për të cilin ai argumentoi se ishte i nevojshëm për ta nxjerrë ekonominë nga stanjacioni. Udhëheqësi i Lëvizjes Pesë Yjet, zv/kryeministri Luixhi Di Maio, tha se partneri i tij në koalicionit ka “vënë sondazhet, para interesave të vendit”.
Salvini, tha Di Maio, ishte në plazh për 2 javë me radhë, pastaj u kthye në Romë dhe e rrëzoi qeverinë. “Më duket pak arbsurde”- tha Di Maio. Dhe në fakt ka sigurisht diçka të çuditshme në kohën që ka zgjedhur Salvini për këtë lëvizje. Ai mund të ishte tërhequr nga qeveria në muajin korrik, përpara se parlamenti të merrte pushimet, pa shkaktuar një krizë politike në kulmin e pushimeve verore.
Përkundrazi, Salvini e bëri njoftimin e tij vetëm disa orë pasi Alberto Nardelli i “BuzzFeed News”, së bashku me uebsajtet investigative “Bellingcat” dhe ‘The Insider”, një uebsajt rus, publikuan një tjetër. Ata bënë publike dokumente, që tregojnë se një ndihmës i Salvinit, dhe një nga këshilltarët e tij të politikës së jashtme, ka kryer shumë udhëtime në Rusi që nga viti 2017, të cilat nuk figurojnë në regjistrat e transparencës së Ministrisë së Brendshme që drejton Salvini.
Këto detaje, i shtohen një investigimi të mëhershëm të “BuzzFeed News”, kur u publikuan regjistrime audio nga një takim në Moskë vjeshtën e kaluar, ku një bashkëpunëtor i ngushtë i Salvinit dëgjohet duke negociuar një marrëveshje energjetike, nga e cila Lega do siguronte fondet për fushatën e zgjedhjeve për në Parlamentin Evropian.
Nuk ka asnjë provë që marrëveshja është nënshkruar. Por akuzat janë dëmtuese, dhe prokurorët në Milano kanë hapur një hetim. Salvini, që ka shprehur një admirim publik për Vladimir Putinin, nuk i është përgjigjur asnjëherë pyetjeve të gazetarëve lidhur me këto akuza, dhe ka refuzuar të japë llogari edhe para parlamentit.
Ndaj në lëvizjen e Salvinit mund të ketë një grimë dëshpërimi, dhe ai po vepron shpejt, sa kohë që është i bindur se është ende i fortë. Ai e ka më të thjeshtë t’i përgjigjet akuzave për lidhje me rusët në një fushatë, sesa duke qenë në qeveri. “Tani ai mund të thotë:Ata po sulmojnë, pasi unë po garoj në zgjedhje”- thotë Foli.
Në Itali, anëtarët e parlamentit kanë imunitet nga ndjekja penale, edhe nëse janë përfshirë në skandale të panumërta. Kjo është pjesërisht arsyeja, pse elektorati italian është kaq cinik, dhe pse Lëvizja Pesë Yjet pati një rezultat aq të mirë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018, dhe pse propozoi një projekt-ligj për të zvogëluar numrin e deputetëve.
Kjo nismë, ishte menduar të votohej më 9 shtator. Një votim i tillë, do të vononte më tej zgjedhjet, dhe ky është potencialisht një tjetër faktor pse Salvini veproi pikërisht tani. Nuk është plotësisht e qartë se çfarë do të ndodhë tani. Parlamenti, duhet të rimblidhet me urgjencë për të mbajtur një votim mosbesimi, përpara se qeveria të shpallet e rrëzuar.
Nëse nuk shfaqen koalicione të tjera të mundshme, presidenti mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme, të cilat kanë të ngjarë të zhvillohen në vjeshtë. Nëse Italia voton, e vetmja gjë që do ta pengonte Salvinin dhe Legën të vinte në pushtet, është vetë Salvini, një kolaps ekonomik, apo një hetim ndaj tij dhe partisë që ai drejton.
Ekziston një element i fundit, që mund të dëmtojë Salvinin:poshtërimi. Por sa më shumë që shtypi dhe disa italianë e tallin për fushatën e tij në plazh, aq më mirë duket ai në sytë e mbështetësve të tij. Ata e pëlqejnë. Mesazhi i tij zë vend.
Ndërsa kundërshtarët e tij janë të përfshirë në debatet e brendshme, ai i joshi votuesit e tij në plazhe. Duke u hedhur dorën në qafe, dhe duke bërë me ta selfie. Dhe kur ata të kthehen nga plazhi dhe të shohin llogaritë e tyre bankare, faturat e taksave, atëherë do të fillojë fushata e vërtetë elektorale./ TIRANA TODAY