PROF. MYQEREM TAFAJ
Dje u rizgjua prapë çështja e pranimit të studentëve në programet Bachelor të mësuesisë, sepse qenka miratuar një vendim i qeverisë, i cili, de fakto, ndan studentët që do të studiojnë në programe të njëjta, pra thjesht maturantët duhet të deklarohen, që në fillim nëse synojnë të vijojnë studimet e ciklit të dytë Master në mësuesi apo jo. Po citoj pikën përkatëse të VKM “Kandidatët, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, minimalisht me notë mesatare 6.5 (gjashtë pikë pesë), mund të aplikojnë edhe në programet e studimit të gjuhëve të huaja dhe në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë, të përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të vendimit, por këta kandidatë pajisen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore me numër të veçantë matrikullimi, i cili nuk i lejon të ndjekin më pas programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë”. Vetëm për kaq është investuar Këshilli i Ministrave. Ky është niveli i autonomisë reale akademike. Qeveria duhet të di se çfarë do bëjë një student pas 3-4 vitesh studime Bachelor.
Meqenëse dëgjoj diskutime nga më të ndryshmet, shumica e të cilëve tërësisht jashtë kontekstit, po përpiqem të argumentoj pse VKM për rritjen e mesatares së pranimit në programet Bachelor është e pabazë, diskriminuese dhe me pasoja të rënda për ripërtëritjen e trupës pedagogjike në shkollat e arsimit bazë dhe të mesëm të zonave të largëta, rurale dhe më të varfra të vendit tonë.
PSE KY VENDIM ËSHTË PA BAZË DHE TREGON NJË QASJE SHUMË TË VJETRUAR TË STUDIMEVE UNIVERSITARE NË MËSUESI?
Kuadri ynë ligjor në fuqi (Ligji i arsimit parauniversitar, ligji i arsimit të lartë dhe ligji i profesioneve të rregulluara) ka përcaktuar, që në vitin 2012 përfundimin e ciklit të dytë të studimeve universitare si kriter i parë për mësuesit e rinj. Pra, vetëm me ciklin e parë të studimeve (Bachelor) nuk je mësues, as për arsimin fillor. Programet Bachelor nuk përgatisin as mësues ndihmës. Thjesht ky fakt tregon se sa i pa bazë është ky vendimi për gjoja rritjen e mesatares së pranimit në programet Bachelor në mësuesi. E thënë më troç: programet Bachelor në mësuesi vetëm emërtimin e kanë të tillë, sepse de facto, në pjesën më të madhe të përmbajtjes (kurrikulës) së tyre, ato janë programe që afrojnë formim shkencor bazë në fushën përkatëse të shkencës, i cili është një përputhje me kërkesat e nivelit 5-të të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK) dhe Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (KEK). Kush më thotë: çfarë përqindje zë pjesa didaktike në kurrikulë? Sa për qind zë praktika profesionale në shkolla? Mos bëjnë studentët e këtyre programeve ndonjë tezë Bachelor në pedagogji apo didaktike? Është bërë ndonjëherë kjo analizë? Për fat të mirë, akoma nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim në kurrikulat e Bachelor të mësuesisë për t’i zhveshur ato nga formimi shkencor bazë, me pretendimin e mbushjes me didaktikë dhe pedagogji. Kjo do të ishte me pasoja, sepse pa një aftësim shkencor bazë në fushën e shkecës/ave përkatëse, nuk mund të formohet një mësues i mirë, sado didaktikë dhe pedagogji të ketë mësuar. P.sh., një mësues i mirë në biologji nuk mund të formohet nëse nuk ka marrë një formim të mjaftueshëm shkencor në shkencat biologjike, madje edhe natyrore. Pra, pavarësisht emërtimeve të vjetruara si programe Bachelor në mësuesi, de facto, në përfundim të studimeve Bachelor, nuk diplomohen mësues për asnjë cikël shkollor parauniversitar. Vetëm programet e studimeve Bachelor për arsimin parashkollor përgatisin figurën profesionale “Edukator”, një profesion i cili nuk është profesion i rregulluar.
Që këtu lind natyrshëm pyetja retorike, për sa kohë në fund të studimeve Bachelor, pavarësisht emërtimit të këtyre programeve, nuk diplomohen mësues, përse duhet bërë kjo propagandë me rritje të pragut të mesatares në pranim?
PSE KJO QASJE ËSHTË SHUMË E VJETRUAR?
Modelet e studimeve universitare në mësuesi kanë pësuar ndryshime të thella në të gjitha vendet, pas reformës së Bolonjës, sidomos në dekadën e fundit. Prirja kryesore është ndërtimi i kurrikulave të studimeve universitare me bazë sa më të gjërë në ciklin parë Bachelor dhe profilizim i studimeve në fushën e mësuesisë në ciklin e dytë, pra në nivelin Master. Kjo nënkupton që studimet në ciklin e parë Bachelor të japin një formim sa më të gjerë shkencor, madje edhe ndërdisiplinor, mbi bazën e të cilit ngrihen kurrikulat e studimeve të ciklit të dytë të profilizuar në mësuesi, ku synohet një thellim i mëtejshëm shkencor në një drejtim dhe një formim solid pedagogjik, psikologjik dhe didaktik në mësuesi. P.sh. në Finlandë studimet e Masterit në mësuesi zgjasin 2 vjet dhe studentët përfundojnë këto studime me dy teza masteri: një tezë shkencore në fushën respektive të shkencës dhe një tezë pedagogjike-didaktike. Po e konkretizoj këtë koncept me shembullin e përgatitjes së mësuesve të biologjisë. Sipas këtij modeli, studimet Bachelor duhet të jenë në shkencat natyrore dhe duhet të synojnë një formim të gjërë të studentëve në biologji, kimi, biokimi, biofizikë, fizikë, bioinformatikë. Mbi bazën e studimeve të tilla Bachelor duhet të ngrihen programet e ciklit të dytë Master për mësuesi në një ose dy lëndë të afërta: p.sh. Master i Shkencave në Biologji për mësues të shkollës së mesme, ose Master i shkencave në biologji-kimi për mësues të arsimit bazë. Një kurrikulë e tillë të jep mundësi të përzgjedhësh studentët më të mirë Bachelor (madje mund të vihet një prag note edhe mbi 8 ose më të lartë sipas universiteteve) për t’i pranuar në studimet Master. Sigurisht, kjo kërkon një reformim të studimeve Bachelor për t’i çliruar ato nga specializimi shumë i dëmshëm dhe paradoksal që në ditën e parë të vitit të parë. Por edhe në gjendjen e tanishme të kurrikulave ky model mund të realizohet. P.sh., fakultetet tona kanë studime Bachelor në biologji ose biologji-kimi me një emërtim thuajse fiktiv “për mësuesi”. Nuk ka nevojë që të rritet mesatarja kaq shumë për të hyrë në programe të tilla, sepse, siç e theksova më sipër, prej tyre nuk diplomohen mësues. Ajo që duhet bërë është që, prej studentëve të diplomuar në Bachelor në biologji apo biologji-kimi të përzgjidhen më të mirët, madje ekselentët po të jetë e mundur, për programin Master i shkencave në Biologji apo biologji-kimi për mësuesi. Dhe sigurisht, nuk ka nevojë të pranohen me qindra studentë në programet e masterit të mësuesisë, por vetëm 15 deri 25 studentë, në mënyrë që të arrihet një përputhje më e mirë me nevojat e sistemit tonë arsimor parauniversitar për mësues të rinj. Kjo zgjidhje nuk është aspak e vështirë. Universitetet tona dhe fakultetet tona të mësuesisë kanë pasur shumë programe Erasmus, në fushën e kurrikulave të mësuesisë, në bashkëpunim me fakultetet homologe të mësuesisë të universiteteve të vendeve të tjera. Si ka mundësi që të mos reformohen programet e mësuesisë dhe të prodhohet një konfuzion kaq i madh që c’orienton dhe diskriminon maturantët! Pretendohet akoma se paskemi programe Bachelor për mësuesi kur prej 10 vitesh, mësues bëhesh vetëm nëse ke përfunduar studimet e Masterit për mësuesi dhe jo ato të Bachelorit!
Një konfuzion akoma më të madh dhe me kosto për studentët kanë shkaktuar edhe disa pseudo-rregullime nënligjore që shkojnë deri në non sens të plotë: nëse studimet Bachelor kanë qenë në mësuesi, por emërtimi i programi nuk ka qenë identik me atë të programit Master në mësuesi, të diplomuarit nuk lejohen të japin edhe Provimin e Shtetit! Ku është diskriminim i thellë! Ku jetojnë këta burokratë që shkruajnë akte të tilla! Kanë dëgjuar apo lexuar gjë këta burokratë për programet e veçanta të vendeve të ndryshme në Europë, SHBA dhe më gjerë, për tërheqjen e të diplomuarve në shkenca apo teknologji për t’u trajnuar për mësuesi, përmes kurseve alternative të fokusuara kryesisht në didaktikë e pedagogji, si dhe të shoqëruara me praktikë profesionale intensive në shkolla (p.sh. programet alternative të përgatitjes së mësuesve në SHBA).
CILËT MATURANTË DISKRIMINOHEN NGA RRITJA E MESATARES SË PRANIMIT NË BACHELOR VETËM PËR PROGRAMET E MËSUESISË?
Maturantët që diskriminohen nga kjo rritje, pa bazë dhe pa shkak, e mesatares vetëm për programet Bachelor në mësuesi, janë ata të zonave më të varfëra dhe të largëta të vendit tonë. Pse? Sepse shkollat e këtyre zonave, edhe pse janë të gjitha shtetërore, kanë rezultatet më të ulta krahasuar me ato të qyteteve. Kjo diferencë në provimet e Maturës shtetërore, është 0,5 – 1 notë më e ulët krahasuar me mesataren në shkallë vendi. Ajo e ka bazën në hendekun e madh në arritjet e nxënësve të klasës së 9-të midis shkollave të zonave më të varfra dhe atyre të qyteteve. Këtë hendek e ka karakterizuar saktë studimi i PISA i OECD dhe është 1,5 – 2 vite shkollore. Thënë ndryshe: nxënësi i klasës së 9-të në shkollat e fshatrave dhe zonave më të varfra të vendit ka një formim teorik të barabartë me atë të klasës së 7-të në qytetet kryesore të vendit. Pra, vetë shteti nuk ka arritur të rritë cilësinë në shkollat e këtyre zonave dhe pasojat i vuajnë nxënësit edhe në arsimin e mesëm, çka bën që ata të arrijnë rezultate të ulëta. Kjo i privon ata, jo për fajin e tyre por për faj tërësisht të shtetit, edhe nga e drejta për të vijuar studimet universitare Bachelor në të gjitha drejtimet, por sidomos në programet e mësuesisë, pa folur pastaj për programet më të kërkuara, si ato të shkencave mjekësore, IT, ekonomi, shkencat teknike, etj. Pra, vetë shteti, duke mos zhvilluar shkollat në zonat rurale dhe ato më të varfra të vendit, parapëlqen të diskriminojë të rinjtë e këtyre zonave, që ata të mbeten pa studime universitare, çka do të thotë që ata të trashëgojnë varfërinë e familjeve të tyre dhe, de facto, të mos kenë shanse të integrohen në shtresën e mesme të shoqërisë sonë.
Pse rritja e padrejtë e mesatares së programeve Bachelor në mësuesi lë zonat më të largëta të vendit pa mësues të rinj?
Pikërisht pamundësia e maturantëve që vijnë nga shkollat e mesme shtetërore të zonave rurale dhe më të varfra të vendit, për të vijuar studimet universitare Bachelor në mësuesi, nënkupton që për vite të mos shkollohen të rinj të këtyre zonave për mësuesi, të cilët do të zëvendësonin mësuesit që dalin në pension. Natyrshëm lind pyetja: nga do të vinë mësuesit e rinj në shkollat e zonave rurale, sidomos ato që janë më të thella ? Nga qytetet? Kjo nuk është kurrsesi një zgjidhje e qëndrueshme, sepse, edhe për shumë vite, infrastruktura rrugore dhe transporti do të mbeten të pazhvilluar mirë dhe me kosto të lartë të udhëtimit. Nga ana tjetër, edhe pagat e mësuesve në vendin tonë zor se do të jenë aq atraktive, saqë një mësues apo mësuese nga qyteti të sakrifikojë dhe të bëjë 2 orë udhëtim në ditë, me mjete përgjithësisht pa standarde dhe me kosto të lartë për të shërbyer në një fshat të thellë të Dibrës, Kukësit, Pukës, Librazhdit, Skraparit dhe shumë rretheve të tjera të vendit tonë që kanë zona të tilla të thella. Prandaj mendoj se kjo strategji e rritjes pa bazë të mesatares dhe diskriminimit, krejtësisht për fajin e shtetit, të maturantëve të këtyre zonave, do të lërë fare pa mësues të rinj shkollat e zonave më të thella. Kjo strategji ka 3-4 vite që po aplikohet dhe nuk duhen më shumë se 3-5 vite të tjera, që të duket qartë edhe kjo pasojë e rëndë për shkollimin e fëmijëve në zonat e largëta dhe më të varfra të vendit tonë.
Të zgjedhësh thjesht privimin e maturantëve të këtyre zonave për të vazhduar studimet universitare në mësuesi, krejtësisht për faj të shtetit, nuk është një strategji e drejtë, përkundrazi shumë arrogante. Ekzistojnë plot zgjidhje të tjera të drejta. P.sh. përse nuk shpallet një program i veçantë kombëtar për rritjen e cilësisë së shkollave të zonave më të varfra të vendit? Ose. Përse nuk ndërmerret një program plotësues përgatitor për maturantët e këtyre zonave pranë universiteteve, i financuar nga qeveria, në mënyrë që ky grup i madh maturantësh të kenë mundësi të plotësojnë njohuritë dhe pastaj të pranohen në programet universitare, madje jo vetëm në mësuesi, por edhe në shkencat mjekësore, IT, shkencat bujqësore, teknike, natyrore etj. Programe të tilla përgatitore për studime universitare aplikohen në vende të zhvilluara edhe të BE. Mundësitë ekzistojnë edhe në vendin tonë. Madje, edhe buxheti mund të sigurohet nga programet e BE. Por duhet vullnet politik dhe jo qasje arrogante që diskriminon thellë të rinjtë e zonave më të varfra të vendit.