Nga Ferdinand Dervishi/ “Në gojë kisha ende shijen e ëmbël të një kruasanti, kur një nga policët grekë më qëlloi. Tre herë e zbrazi dhe të tre plumbat më kapën mua. Dy në bark dhe një në gjoks. Pamja mu errësua, rashë përtokë dhe njëkohësisht ndjeva se si ajo ëmbëlsira në gojë m’u hidhërua”.
Flamur Shyti, 41-vjeçari nga Pogradeci që ka marrë rrugën për në Tiranë të publikojë këtë histori, nuk është nga ata tipa që e kanë për zanat të ankohen. Thotë se nuk po e rrëfen historinë e jetës së tij as sepse përmes publikimit të saj dëshiron të përmbushë ndonjë ndjenjë hakmarrjeje, ndërkohë që shton se e ka shumë të qartë se edhe përfitimi është zero.
Kjo mbase ka lidhje me faktin se fatmirësisht Flamuri është një shqiptar i kënaqur nga jeta që ka. Duket Zoti është treguar bujar me të. Një kthesë që kishte ndodhur menjëherë pasi Ai për pak sa nuk e kishte marrë përgjithmonë me vete. Ndërsa të rrëfejë historinë e tij për një media, thotë se e kanë nxitur ngjarjet e fundit, vrasja e disa shqiptarëve nga policia greke dhe sidomos ekzekutimi në Korfuz i një emigranti nga një anëtar i partisë ekstremiste greke “Agimi i Artë”.
“E kam provuar vetë se sa e lirë është lëkura e një shqiptari në Greqi, prandaj dua të flas dhe t’ju tregoj me fakte e prova se çfarë më ka ndodhur. T’ju tregoj se si më qëlluan si qen dhe për këtë askush nuk mbajti asnjë përgjegjësi, t’ju tregoj se si më përcollën në ambasadën tonë në Athinë se si askush nuk ka dashur dhe nuk do t’ja dijë…”.
Plumba klandestinëve
Flamur Shyti kishte mbërritur në Athinë në verën e vitit 1997. Kishte udhëtuar në këmbë maleve të Greqisë, rrugë e parrugë, për gati një javë. Sepse Shqipëria e shkatërruar nga revoltat, nuk ofronte asgjë…
I ndihmuar nga disa të afërm, kishte gjetur punë në ndërtim në periferi të Athinës, në një lagje që quhet Keratea. “Ishte data 12 shtator e vitit 1997 kur ndodhi ngjarja. Ndihmoja një murator. Bëja llaç. Çdo mëngjes herët mblidheshim në kafenenë e një karburanti. Aty vinin na merrnin efendikonjtë grekë, – kështu u thoshim grekëve që na merrnin për punë. Në fakt ajo zonë ishte bërë si ‘Omonia’ e lagjes. Shqiptarët që kërkonin punë mblidheshin aty, dhe grekët që donin njerëz për punë, vinin, po aty, dhe i merrnin. Kisha bërë zakon që çdo mëngjes të pija një kafe dhe të haja një kruasant, por atë ditë më dolën nga hundët”.
Sipas rrëfimit të Flamurit, atë ditë policia greke duket kishte bërë plan të pakësonte numrin e emigrantëve klandestinë shqiptarë në zonë, duke i kapur e kthyer mbrapsht në Shqipëri.“Ata e rrethuan me makina vendin ku prisnim për punë – atë pikën e karburantit, dhe hovën jashtë. Ishin shumë. Ndërkohë ne, shqiptarët, sa i pamë, ja dhanë vrapit. – Rri këtu, – më tha pronari i lokalit, – se jashtë do të të kapin. Hezitova një çast, por një sekondë më vonë edhe unë nisa të vrapoj si gjithë të tjerët”.
Flamur Shyti nuk e kishte dëgjuar pronarin e lokalit. Kishte menduar se meqë ishte klandestin, të mos bëhej shkak që policia të merrej me grekun dhe ti hapte ndonjë telash. Për Flamurin ai kishte qenë gjithmonë një grek i mirë, pasi nuk i shihte shqiptarët si fundërrina. Ndërkohë të gjithë klandestinët po vraponin për tu fshehur në zonën pas pikës së karburantit, ku vijonte një ullishtë.
Edhe Flamuri andej kishte rendur. Momentin e fundit para se ta qëllonin kujton se pranë, duke rendur, kishte një tjetër shqiptar, F. Veizin, po nga Pogradeci. “Po vraponim dhe një çast shohim përpara një mur, që duhet ta kapërcenim. Unë isha më i avancuar dhe u hodha mbi mur. Policët ishin pranë. Jo më tepër se 10 metër. Në këtë kohë ndjeva goditjet në trup. E kuptova se ishin plumba. Kujtoj ti kem thënë vetes: Më vranë. Pamja m’u mjegullua. Pashë F. Veizin, që u afrua të më ndihmonte. Më ra të fikët… Dikur u përmenda. Isha në brendësi të një autoveture. Në sediljet e para dallova dy policë. Një prej tyre, – për mua ishte ai që më qëlloi, – ma mbante pistoletën gjatë gjithë kohës te koka. Ndërkohë F. Veizi kishte zhveshur bluzën, e kishte grisur rripa-rripa dhe mundohej të më ndalte gjakun”.Flamur Shyti kishte marrë tre plumba. Dy ishin futur dhe kishin mbetur në bark, ndërsa i treti, edhe më i rrezikshëm, ishte futur në anën e djathtë të gjoksit duke e tejshpuar, por pa i prekur zemrën.
“Na fal se të ngatërruam!” Policët që e qëlluan, fillimisht e çojnë Flamurin në spitalin më të afërt, Por mjekët nuk e pranojnë. Aty nuk kishte repart kirurgjie. Kështu që policët nisen të gjejnë një tjetër spital. “Rrugës përmendesha herë pas herë dhe shihja mikun tim F. Veizin, të fikur në fytyrë, duke u munduar të më ndalonte gjakun. Nuk mbaj mend shumë gjëra. Di se në spital mjekët ishin detyruar të më prisnin në gjoks dhe të më hapnin trupin në një gjatësi që mund të matet me pëllëmbë. Duket edhe nga shenjat. Fatmirësisht gjithçka shkoi mirë, kjo për faktin se plumbat nuk më kishin prekur organe jetësore. Duhet të jem përmendur nja tre ditë pas ngjarjes në brendësi të një si tip inkubatori”.
Një javë më pas Flamur Shyti nxirret nga reanimacioni dhe dërgohet në një dhomë të thjeshtë të spitalit, ku kishte edhe pacientë të tjerë. Pikërisht në këtë ditë të parë të transferimit, atij i bëhet një vizitë të pazakontë.“Ishin tre policë. Njëri, ai që më kishte sjellë një shishe limonatë, ishte pikërisht polici që më qëlloi. Nuk ndenjën gjatë dhe pothuaj nuk folën. Më pyetën vetëm se si isha. Nuk kujtoj saktësisht se çfarë u thashë. Jo më shumë se një apo dy fjalë se isha më mirë. Kaq. Dy-tri minuta më pas, kur u ngritën të iknin, polici që më qëlloi u afrua dhe duke më folur më zë të ulët, më tha: Na fal, se të ngatërruam!”
Menjëherë pas ikjes së policëve në spital ja kishin behur mediat. Mjekët e kishin nxjerrë Flamurin në korridor, duke e sajuar në një mënyrë të tillë në shtrat, që të kishte mundësi të jepte intervistë.“Nuk dija mirë greqisht dhe kujtoj se kam folur shumë pak. Duhet t’u kem thënë se isha duke shkuar në punë kur më qëlluan. Ikën. Më pas më thanë se e kishin transmetuar intervistën dhe se e kishin shoqëruar edhe me pamje nga vendngjarja dhe dëshmi të qytetarëve grekë, banorë të zonës, që rrëfenin ndodhinë me aq sa dinin”.
Dy javë më pas, kur ishte ende shumë i dobët dhe mezi hidhte këmbët, Flamur Shytin e kishin nxjerrë nga spitali. Ishte klandestin dhe shpenzimet e tij nuk i paguante askush.“Erdhi një kushëri në spital që më mori për të më nisur me autobus në Shqipëri. Nga ky moment kam edhe një tjetër kujtim nga qëniet njerëzore. Kujtoj mjekun që më operoi. Kur e mori vesh se do dilja, erdhi të më takonte. Më fliste në greqisht dhe nuk e kuptoja mirë. Kur një çast mbetëm vetëm, ai më futi në gjoks, shtyu thellë nën rroba, një letër. Më pas, kur po udhëtoja me autobus drejt Shqipërisë e nxora dhe pashë se ishte epikriza. Pa vënë në listë pasaportën shqiptare, të përgjakur, por pa vizë, epikriza është i vetmi dokument që kam nga ajo ngjarje”.
Rrëfimi i shokut që e ndihmoi
Rreth dy muaj pas mbërritjes në Shqipëri, kur pothuaj e kishte marrë veten dhe kur ecja shtrembër pothuaj ishte riparuar, Flamur Shyti takon në Pogradec F. Veizin, shokun që i lidhi plagët duke i ndaluar rrjedhjen e gjakut.“Nuk të kam ndihmuar – më tha – por të kam shpëtuar jetën, sepse policët të lanë përtokë dhe tentuan të iknin”.Rrëfimi i F. Veizit e kishte lënë krejt pa mend Flamur Shytin. Tjetri i kishte rrëfyer se, pranë murit, teksa Flamuri ishte hedhur sipër për ta kaluar, ai vetë ishte rrëzuar, i penguar nga një shkurre. Pikërisht kjo rastësi e kishte shpëtuar nga plumbat, fishkëllimën e të cilëve e kishte ndier mbi kokë. “Ke rënë nga muri si te ajo skena e filmit ‘Lulëkuqet mbi mure’. Unë u afrova, hoqa bluzën, e grisa në copa dhe nisa të të lidhja plagët. Tre policët grekë na shikonin si të ngrirë. Një minutë më pas atë u futën në makinë, e ndezën dhe nisën të largoheshin. Po iknin dhe po na linin aty. E sigurt që do të vdisje nga humbja e gjakut. U jam hedhur në kofano të makinës për ti ndalur. Dhe u ndalën. Ai që qëlloi me armë doli me furi nga makina dhe më dha një grusht të rëndë në qafë. Nuk rashë. Ndërhyri një nga policët, që duket e bindi të mos më godiste. I njëjti polic këmbënguli që të na merrnin dhe çonin në spital. Më ka bërë përshtypje se si nuk u afruan të më ndihmonin kur të futa në makinë. Mezi të mbaja. Pothuaj të kam tërhequr zvarrë. Por ata nuk të prekën me dorë. Nuk e di pse. Nuk më vjen mirë ta mendoj se këtë e bënë vetëm sepse na konsideronin si qënie më të ulëta…”
Më tej F. Veizi i kishte rrëfyer se si hetuesit e kishin marrë dy ditë në pyetje dhe se i kishin kërkuar të dallonte, mes një grupi prej 10 policësh, atë që qëlloi. F. Veizi e kishte treguar me gisht, por më tej nuk kishte asnjë informacion, nëse kolegët e kishin çuar, apo jo atë, drejt ndëshkimit për plagosjen e një klandestini shqiptar. Duke bërë një llogari të thjeshtë, Flamur Shyti e kishte kuptuar se ndaj policit që e qëlloi nuk ishte marrë asnjë masë. Kjo sepse F. Veizi e kishte treguar atë me gisht një ditë pas ngjarjes, ndërsa ai, pra i njëjti polic, i kishte ardhur në spital një javë më pas, me një shishe limonate në duar.
Ambasada: Nuk kemi fuqi si shtet
Një vit më vonë Flamur Shyti gjendet sërish në Greqi, në Athinë. Kësaj radhe ishte i pajisur me vizë të rregullt. Epikriza, por edhe deputeti i zonës, e kishin ndihmuar që konsullata greke të vinte dorën në zemër për një vizë. “Pasi kalova kufirin, gjatë gjithë kohës më bëhej sikur më ndiqnin tre persona. Ishin të veshur me rroba civile. Nuk e di përse më ndiqnin. Mbase mendonin se unë po kthehesha në Greqi për hakmarrje, mbase shfaqja e tyre ishte një rastësi dhe unë isha bërë me fiksime…”Qëllimi i udhëtimit të Flamur Shytit në Greqi ishte që të hapte gjyq për të vënë të drejtën në vend. Mendonte se polici që e masakroi duhet të shkonte në burg, ndërsa ai vetë duhet të fitonte një dëmshpërblim për sakatimin. “Në ambasadën tonë në Athinë më priti një nëpunës i thjeshtë. Më dëgjoi, lexoi edhe epikrizën dhe pa u menduar shumë më tha se, ne, shqiptarët, kemi një shtet pa fuqi dhe se do të bëja mirë të kthehesha mbrapsht, në Shqipëri”.I mbetur pa asnjë shpresë, Flamur Shyti shkon edhe njëherë në Kerate, në lagjen ku për pak kishte humbur jetën. Kontakton grekun që e kishte mbajtur në punë ditët e fundit, merr prej tij shpërblimin e ditëve punë të papaguara, por nuk gjen mbështetje kur i shpjegon se kishte ardhur për të hapur një gjyq.“Greku u frikësua për mua. Më tha se kurrë nuk do ta fitoja të drejtën me policinë dhe se do të bëja mirë të ikja andej nga kisha ardhur. U frikësua aq shumë, saqë më rekomandoi që të mos e zgjasja, por që atë ditë të nisesha mbrapsht për në Shqipëri. Kujtoj se më thoshte se nga momenti në moment ata, pra policët që akuzoja, do të më bënin ndonjë të keqe. Më mori në makinë, më futi në pjesën e pasme, duke më shpjeguar që të mos qëndroja në mënyrë të dukshme dhe më shoqëroi deri tek autobusët”.Këtu përfundon historia greke e shqiptarit Flamur Shyti. Një histori që ai tashmë ja ka lënë së shkuarës, por edhe një histori që vazhdon të zhytet e tretet tej në mugëtirë, duke marrë me vete pengun më të madh të jetës së tij dhe për më keq akoma, pa i shkulur dot nga vetja atë ndjenjën e nëpërkëmbjes dhe inferioritetit, që të dyja jo për faj të tij.
Përkthimi i Epikrizes
REPUBLIKA E GREQISEMINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MIRËQENIES SOCIALESPITALI I PËRGJITHSHËM I ATIKISË – “KAT”KIFISIA
DEPARTAMENTI: KIRURGJIAREPARTI: GJOKSINr. Regj. 49102
FLETE-DALJEEpikrize mjekësore 250516
Flamur Sutis, i biri i……. siç del nga librat që posedohen u mjekua në spital nga data 12.09.1997 deri më 25.09.1997. Pas kontrollit klinik dhe laboratorik u gjet:Plagë të tejpërtejme të anës së djathtë të kraharorit me armë zjarri, me vrimë hyrjeje në anën e djathtë në lartësinë e 4-t të zgjatjes së ijes së mesit.U bë prerja e gjoksit në anën e djathtë për shqyrtim më të hollësishëm.U zbuluan rrjedhje traumatike të enëve të gjakut të ijes së mesit (u bë qepja) dhe dëmtime provokuese tendosëse në indet, pa shkatërrimin e tyre djathtas poshtë vëllimit pneumonik.Për arsye të tërheqjes makroskopike të perikardit u bë hapja e tij dhe ju dha serum. Nga data 12.09 – 14.09.1997 u mjekua me METH., më 14.09.1997 u transportua në Klinikën e Kirurgjisë së Toraksit. Pas kësaj kohe i’u nënshtrua trajtimit farmaceutik në vazhdim. Rezultati i kënaqshëm.Pas daljes i’u dhanë udhëzimet e mëposhtme.1. Ndjekje dhe mjekim në repartin e….2. Të vizitohet rregullisht ambulancën e spitalit për 15 ditësh. Vetëm pas takimit në tel. 8010461, 8010462, 8014441, 80147313. Të tjera udhëzime: Pezullim nga puna për 30 ditë.
Kifisia, më 25-09-1997
MjekuGeorgios Kastrisios
Klinika KirurgjikeToraks – Enë Gjaku Spitali “KAT”
Investigimi i “Eleftherotipia”
Në vitin 2009 gazeta greke “Eleftherotipia” u investua në investigimin e një fenomeni sipas përcaktimit të saj “racist” që vazhdonte të ndodhte në Greqi. Gazetarët shqyrtuan përmbi 160 raste të 10 viteve të fundit, kur shqiptarët ose ishin plagosur ose vrarë nga policia. Nga bisedat me familjarët dhe të dhëna të tjera, gazetarët erdhën në përfundimin se për të gjitha këto raste asnjë polic nuk ishte gjetur fajtor dhe se që të gjitha vendimet e gjykatave i kishin justifikuar duke u shprehur; “zbrazje e pavullnetshme e armës”. TIRANA TODAY