Inspektori i Përgjithshëm i Republikës, Shkëlqim Hajdari ka bërë me dije se janë duke rinisur eksportet bujqësore.
Kësisoj prodhimet shqiptare të mbetura stok, si pasojë e koronavirusit, do të eksportohen në Kosovë, Maqedoni dhe në shtete të tjera të rajonit.
Gjatë një vizite në pikat e eksporteve në Lushnjë, Hajdari theksoi se ditën e nesërme, rreth 300 ton prodhime do të eksportohen drejt Kosovës.
“Fermerët do marrin të ardhurat e tyre. Prodhimi nuk do prishet, por do shkojë në tregjet e rajonit tonë, Kosovë, Maqedoni. Nesër në mëngjes ne do eksportojmë rreth 300 ton ushqime, domethënë 300 ton prodhime që janë dëmtuar siç është kastraveci, luleshtrydhja, lakra etj”, u shpreh Hajdari.
Pikërisht të enjten, pra nesër, do të hapen rrugët për të gjithë prodhuesit e perimeve.
Kujtojmë se ditën e djeshme, nga pika e përbashkët kufitare e Morinit, Inspektori i Përgjithshëm i Republikës deklaroi se “pushteti lokal i Kukësit me pushtetin lokal të Prizrenit dhe autoritetet shtetërore qendrore të Prishtinës me Tiranën po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin si në një situatë lufte, duke mbrojtur jo vetëm biznesin, por edhe konsumatorët”.
“Ka filluar komunikimi me të gjithë firmat që janë në territoret tona, që mallrat që janë në Shqipëri që për hir të situatës nuk eksportohen dot në vendet perëndimore, t’i krijohen kushtet, të mos dëmtohen, por të kalojnë në territorin e Maqedonisë dhe Kosovës.
E njëjta gjë është edhe për mallrat e tjera që vijnë nga Kosova për në Shqipëri, dhe siç e konstatoni vetë, Morini e ka arritur këtë situatë sepse pushteti lokal i Kukësit me pushtetin lokal të Prizrenit dhe autoritetet shtetërore qendrore të Prishtinës me Tiranën bashkëpunojnë me njëri-tjetrin si në një situatë lufte. Domethënë, gjithsecili duke kryer detyrat e veta, por gjithsecili duke ndihmuar njëri-tjetrin në këtë situatë”, pohoi Hajdari.