Autor: Geri Emiri/ BIRN
Më 11 janar, një zhurmë e fortë matrapiku dëgjohej në mes të Bulevardit Dyrrah – arteria kryesore e Durrësit, e cila e merr emrin nga toponimi antik i qytetit.
Pas llamarinave të larta të një kantieri të hapur në gjurmën e një pallati 6-katësh të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, një grusht punëtorësh me kazma dhe matrapikë i ishin qepur profileve të dherave.
Zhurma e matrapikut bëhej edhe më e fortë teksa zhytej në një mur antik, i cili ruhej prej shekujsh nën themelet e pallatit, por që nuk i mbijetoi dot procesit të ‘rindërtimit’ të financuar nga qeveria shqiptare.
“Aty janë të qarta strukturat arkeologjike në tre profilet e gropës së hapur, në anët perëndimore, lindore dhe veriore,” shpjegon arkeologia Brikena Shkodra, duke kometuar fotot e punës në kantier të realizuara nga BIRN.
“Profili perëndimor ruan gjurmët e një harku të realizuar me tulla të lidhura me llaç dhe përbri harkut, një linjë muri e drejtë,” shtoi ajo.
Këto struktura arkeologjike nuk janë të rastësishme. Ngjitur me kantierin e ri të ndërtimit, arkeologët gjetën në vitin 2004 skulpturën e perëndisë së tokës, Gea, një vepër unike në territorin e Shqipërisë.
Ata besojnë se mbetjet që u shkatërruan gjatë gërmimit të themeleve të pallatit të ri i përkasin një monumenti, i cili mund të jetë një ndërtesë kulti ose një monument i rëndësishëm publik. Disa studiues kanë sugjeruar se struktura mund t’i përkasë edhe një pallati perandorak të shekullit VI.
Sipas ligjit për trashëgiminë kulturore, ndërtimet që realizohen në zona me intensitet të lartë arkeologjik, siç është edhe bulevardi ‘Durrah’ në Durrës, duhet të monitorohen nga arkeologë, por në rastin e pallatit 6-katësh ky kontroll ka munguar.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se pallati në bulevardin ‘Dyrrah’ nuk është i vetmi projekt i ‘rindërtimit’ në Durrës, ku gërmimi është bërë pa prezencën e arkeologëve, duke ngritur shqetësime se dëmi ndaj shtresave arkeologjike të qytetit mund të jetë edhe më i madh.
Gërmimet pa monitorim arkeologjik
Tërmeti 6.3 i shkallës Rihter i 26 nëntorit 2019 shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra familje të pastreha, por ai nuk ishte goditja e parë shkatërrimtare që godiste qytetin e Durrësit. Qyteti i themeluar në shekullin e 6-të para Krishtit, ka njohur përgjatë historisë së tij të paktën dy tërmete të tjera të fuqishme si ai i 26 nëntorit. I ringritur disa herë nga rrënojat, Durrësi ruan në nëntokë mbetje arkeologjike që fillojnë që prej periudhës helenistike.
Për shak të pasurisë arkeologjike që shtrihet poshtë rrugëve dhe ndërtesave, sot qyteti është i ndarë në dy zona arkeologjike– ku ndërtimet e reja dhe rindërtimet duhet të monitorohen nga Instituti i Arkeologjisë ose një arkeolog i licencuar.
I ndërtuar në vitet ’80, pallati nr. 14 përbri Bulevardit Dyrrah ishte një nga ndërtesat kolektive që u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe u shpall i pabanueshëm nga Instituti i Ndërtimit, i cili ka rekomanduar shembjen dhe rindërtimin e tij.
Në qershor 2020, Instituti i Arkeologjisë informoi Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Durrësit për potencialin arkeologjik të sheshit ku do të ndërtohej pallati i ri dhe dyshimet se aty gjendeshin gjurmët e 2 monumenteve antike.
Instituti kërkoi më tej që të kryente gërmimin arkeologjik të sheshit, por ky gërmim nuk u realizua.
“Pritja, që nga tërmeti deri kur nisën punimet e rindërtimit në janar të vitit 2021 ishte mbi një vit, ndërkohë që me një përqendrim forcash, gërmimi arkeologjik do të merrte një muaj kohë,” shpjegoi arkeologia Brikena Shkodra.
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, më 29 tetor 2020 i kërkoi Fondit Shqiptar të Zhvillimit – investitori i ndërtesës, që për punimet të lidhte marrëveshje monitorimi arkeologjik me Institutin e Arkeologjisë dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK). Katër ditë më pas, më 2 nëntor Bashkia Durrës lëshoi lejen e ndërtimit për godinën e re.
Por punimet e gërmimit për pallatin brenda Zonës Arkeologjike A nisën pa monitorim arkeologjik, ndërkohë që IKTK bëri një sy qorr ndaj tyre. Instituti i Arkeologjisë i tha BIRN se investitori nuk e ka lidhur marrëveshjen për monitorimin arkeologjik, siç përcakton dhe ligji.
Ndërsa IKTK nuk shpjegoi përse nuk kishte ndërhyrë për referimin e punimeve pa monitorim arkeologjik.
“Aktualisht nuk është lidhur ende akt-marrëveshja përkatëse dhe nga ana e specialistëve të IKTK nuk mund të realizohet mbikëqyrja, e cila kryhet pas lidhjes së akt-marrëveshjes,” u përgjigj zyrtarisht IKTK.
I pyetur nga BIRN, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Durrës tha se pas inspektimit në kantier, kishte arritur në përfundimin se punimet ishin sipas lejes së ndërtitmit. IMT më tej bashkëlidhi vendimin e Këshillit të Arkeologjisë, që diktonte lidhjen e akt-marrëveshjes tre paleshë për monitorimin arkeologjik të punimeve, por nuk shpjegoi nëse kjo marrëveshje ishte lidhur – pa të cilën sipas ligjit për trashëgiminë, nuk mund të kryhen punimet ndërtimore.
Ndryshe nga IKTK, Fondi Shqiptar i Zhvillimit i tha BIRN së rindërtimi i pallatit nuk kishte nevojë për leje arkeologjike, pasi “do të ruajë gjurmën ekzistuese dhe njëkohësisht të njëjtat kuota të thellësisë me objektin e mëparshëm.”
Shkatërrimi i monumentit
Në errësirën e mbrëmjes së 10 janarit, një kamion që kishte radhën për largimin e dherave nga kantieri i pallatit nr.14, doli nga Bulevardi Dyrrah duke u përhumbur në trafikun e qytetit. Pasi udhëtoi për gati një kilometër, mjeti e shkarkoi ngarkesën e tij me inerte në një tjetër kantier ndërtimi, pas komisariatit të policisë së qytetit.
Pa ndonjë arkeolog rrotull, roja i kantierit mbylli rrethimit dhe me cigaren që e mbante shtrembër, hodhi hapat mbi disa objekte qeramike, që ngjasojnin me tulla antike të hedhura nga kamioni i ngarkur në gropën e themeleve të pallatit nr.14.
“Përmasat e tullave, trashësia, lartësia, lehtësisht janë të krahasueshme me ato që kemi gjetur tek monumenti i shekullit IV, terma publike romake,” i tha BIRN arkeologia Brikena Shkodra, pasi këqyri me me shqetësim pamjet filmike të realizura nga BIRN.
Në projektin e rindërtim të pallatit nr.14 në bulevardin ‘Dyrrah’, studio projektuese ka specifikuar se ndërtimi do të jetë sipas të njëjtave volume themelesh si ndërtesa e vjetër, duke mos cënuar shtresat arkeologjike, por sipas specialistëve, gërmimi i themeleve e ka shkatërruar monumentin antik që ndodhej nën gjurmën e pallatit të vjetër.
“Këto elemente janë prishur edhe kur është ndërtuar pallati ekzistues, por për fatin tonë të mirë, ai pallat i kishte prishur strukturat deri në pjesën e sipërme të tyre, deri aty kishin shkuar themelet”, tha arkeologia Shkodra.
“Tani u shkua pak më poshtë dhe u pa qartazi zbulimi i plotë i këtyre harqeve të ruajtura dhe ruajtja e tyre do të thotë që niveli i përdorimit është minimalisht 1 metër e gjysmë më poshtë nga aty ku ne e shohim,” shtoi ajo.
Vlerësimi i arkeologes Brikena Shkodra mbështetet edhe nga arkitekti durrskak, Mikel Nushi, i cili shpjegon se ndërtimi i ri ka përdorur një tip të ri themeli.
“Themelet e ndërtuara në vitet’ 80 në godinën në fjalë ishin të tipit me plinta,” tha Nushi, ndërsa shtoi se në këtë rast, gjatë ndërtimit gërmohet vetëm aty ku janë parashikuar plintat dhe jo në të gjithë sipërfaqen e godinës.
Ai theksoi se në projektin e ri të rindërtimit ka një ndryshim thelbësor në llojin e themeleve krahasimisht me pararendësin.
“Ai është i tipit pllakë, e cila është një plate betoni sa e gjithë sipërfaqja e ndërtesës,” shpjegoi Nushi.
“Gjithashtu gjatë ndërtimit gërmohet në të gjithë sipërfaqen e godinës dhe jo vetëm në disa vende, si në rastin e themeleve me plinta,” shtoi ai.
Sipas arkeologes Brikena Shkodra, ndryshimi në tipologjinë e themeleve ka sjellë edhe shkatërrimin e monumentit antik.
“Unë pashë struktura arkeologjike të dukshme në profilet e gërmimit, të cilat qartazi dukeshin që sapo ishin thyer, sepse duket kur një strukturë ruhet prej dekadash në nëntokë dhe kur sapo është shfaqur gjatë një gërmimi,” shpjegoi ajo.
“Me siguri absolute mund të themi se kemi të bëjmë me mbetje strukturore të një monumenti shumë të rëndësishëm, me gjasa publik, që përdor në strukturën e vet tullën dhe llaçin dhe kur bëhet fjalë për investime të tilla në shekujt IV-V,” shtoi ajo.
Shkodra i tha BIRN se mënyra se si ka vepruar investitori nuk është konform ligjit.
“Investitorit i caktohet të bëjë marrëveshje për arkeologjinë, ndeshet me sy të lirë me struktura monumentale nëntokë dhe qartazi nuk ishte pallati i prishur nga tërmeti, sepse edhe një jo profesionit e dallon,” tha arkeologia Shkodra. “Është mungesë totale përgjegjshmërie,” përfundoi ajo.