Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, njofton se mijëra ushtarakë shqiptarë do të kenë çdo muaj në pagën e tyre, një shtesë prej 10 mijë lekësh, si kompensim për ushqimin.
Gjatë takimit me efektivët e kontingjentit të Policisë Ushtarake, të cilët nisen për në Afganistan, Xhaçka shtoi se kjo masë do të fillojë që nga ky muaj.
Efektivët e kontingjentit të Policisë Ushtarake nisen për në Afganistan, ku do të shërbejnë në misionin e NATO-s, Resolute Support.
“Çdo investim në armë e sisteme do të kishte qenë i mangët nëse nuk do të ishte shoqëruar me një përpjekje po aq serioze e të qëndrueshme për të investuar tek burimet njerëzore të FA. Unë sot jam e lumtur t’ju jap një tjetër lajm të mirë në këtë drejtim. Për një vendim të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, që ka gjetur mbështetjen e menjëhershme të qeverise e kryeministrit Rama, i cili i jep një zgjidhje dinjitoze një problemi të bartur prej shumë vitesh. Miratimi prej 10 mijë lekësh (100 mijë lekë të vjetra) si shtesë në pagat mujore të ushtarakëve nuk është thjesht një zhvillim me impakt të konsiderueshëm pozitiv në buxhetet familjare të ushtarakëve, por edhe një shenjë vlerësimi për punën tuaj të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve duke e bërë FA institucionin më të besuar për shqiptarët”, tha ajo.