Të pjekura apo të ziera, gështenjat janë mbretëresha e tavolinës së vjeshtës. Madje shume vite më parë, ato shërbenin si ushqim për familjet e varfëra, duke u quajtur edhe “pema e bukës”. Teksa kryesisht shtëpia e gështenjave lidhet me Tropojën, është një fshat i cili prej shekujsh i kultivon ato.
Më shumë se 250 vite më parë një emigrant nga Kraja, i Mal të Zi solli në Reç, pemën e gështenjës. Në fshatin e bukur i cili ndodhet në rrethin e Malësisë së Madhe. Prej disa vitesh, banorët dalin në atë që njihet si “Parku i festës” dhe ofrojnë produkte të gatuara prej tyre dhe sigurisht që nuk mungojnë as gështenjat.
“Zoti e ka falur këtë vend, me gështenjat e gjithçka tjetër. Nuk kam çfarë të them me fjalë, duket mrekullia me sy. Gështenja e Reçit është gështenja më e mirë në të gjithë Shqipërinë.”
“Këtu gështenjat janë shekullore. Brezat e mëparshëm edhe pse ishin jashtëzakonisht të varfër, janë kujdesur dhe i kanë kultivuar për kaq shumë kohë. Gështenja është dru social, ajo historikisht ka jetuar me njeriun. Janë marrëdhënie shumë të ngushta. Njeriu që jeton afër pyllit të gështenjës, është aq i lidhur sa me fëmijët e vetë apo sa rri në shtëpinë e vetë. Përveç produktit është edhe pjesa e drurit, gjethet të cilat përdoren për bagëtinë. Pra, çdo gjë nga gështenjat është me vlera shumë të mëdha.”
Banorët: Nuk kemi treg. Kryebashkiaku: E kanë vetë fajin
Duke qenë një zonë kodrinore, më së shumti gjenden vreshti dhe gështenjat. Kjo e fundit është ajo që siguron të ardhurat kryesore për banorët. Eksporti i parë i gështenjës drejt Italisë ka qenë pikërisht prej zonës së Reçit. Por, përsëri banorët ankohen për mungesë të një tregu të sigurt.
“Nëse sheh rreth e përqark, vë re veç gështenja shekullore. Ne i kultivojmë gështenjat. Ndërkohë, për t’i blerë i marrin veç ata që kanë interes. Dhe ne dalim vetë që shesim, sepse Bashkia nuk interesohet për prodhimet tona. Nuk kemi mbështetje prej askujt. Ata janë kush të zhvatë sa më shumë nga fshatarët”, rrëfejnë kultivuesit e gështenjave.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj thotë për Tirana Today, se ky është vetë faji i banorëve, pasi sipas tij nuk punojnë sa duhet.
“Kjo tokë këtu është ndër më pjelloret në Malësi të Madhe. Të gjithë këtë politikë po e bëjmë që njerëzit t’i kthehen punës. Ne kemi produktet tona, sigurisht që është më i mirë se ai që vjen nga jashtë. Por, nëse kemi mangësi për të siguruar produkte të caktuara, sigurisht që do ta marrim diku tjetër, sepse ne do ushqehemi”, shton Marinaj.
Tradita të pa promovuara
Në festën e zhvilluar pranë Pyllit të Gështenjave, me dhjetëra vizitorë prisnin të provonin ushqimet e gatuara nga zonjat e fshatit dhe të provonin gështenjat.
Teksa shijojnë natyrën dhe pemët e larta, për turistët është mangësi që informacionet për evente të tilla janë të pakta. Edhe pse bëhet fjalë për promovimin e gështenjës, sipas tyre organizuesit nuk kanë bërë promovimin e nevojshëm.
“Alma, pronarja e hostelit ku ne qëndrojmë në Shkodër, na ftoi. Ishte ajo që na tha të vinim këtu, ndryshe nuk besoj se do e merrja vesh për këtë festë. Ne erdhëm dhe është shumë bukur, një eksperiencë e veçantë. Ushqimi shqiptar është më i miri. Ka shumë produkte të bëra në shtëpi dhe kjo është shumë gjë e mirë.”
“Unë jam shumë i surprizuar, mezi po pres të pjekim gështenjat dhe të shkoj t’i ha. Ka shumë pemë të mëdha gjatë gjithë zonës. Kjo gjë tregon që banorët këtu, kanë shekuj që merren me gështenjën. Mua më kanë porositur dhe miqtë e mi në Tiranë që t’iu çoj gështenjat e Reçit.”
“Më e mira është që njerëzit të shohin diçka ndryshe kur vizitojnë një vend. Gjëra më tradicionale. Ky vend është shumë i bukur, malet po ashtu, si edhe është i izoluar.”
Edhe pse është shumë pranë dy prej zonave turistike, Bogë dhe Razëm, përsëri fshati Reç nuk është shumë i vizituar. Kjo jo sepse i mungojnë bukuritë natyrore apo traditat mijëra vjeçare, por sepse asnjëherë nuk ka marr promovimin dhe mbështetjen e duhur. TIRANA TODAY