Benardeta Syku, kandidate në listat zgjedhore të PD-së në qarkun e Shkodrës, theksoi se nuk e pranoi marrjen e mandatit të deputetes, sepse dëshiron përfaqësues të denjë në një Parlament të pastër. Qindra qytetarë janë mbledhur jashtë godinës së Kuvendit, duke protestuar për largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Ndërkohë që seanca plenare ka nisur si zakonisht, kandidatë të listave zgjedhore që kanë refuzuar mandatet kanë nisur të parët fjalimet. Syku tha se nuk mund të rreshtohej krah një Parlamenti të kriminalizuar.
“Po rreshtohem me parimin dhe aspiratën ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Jam në krahun tuaj, se e dua Shqipërinë me votën e lirë dhe jo mandatin, sepse dua përfaqësues të denjë në një Parlament të pastër dhe jo mandatin.
Jam sot në krah të shqiptarëve të lirë, sepse paraardhësit e mi u dergjën në kampet e internimit, ndaj kurrsesi nuk do pranoja mandatin”, tha kandidatja nga Shkodra.