Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka folur në lidhje me refuzimin e Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
I ftuar në një mbledhje në Cërrik, Balla falenderoi kancelaren Merkel për mbështetjen, ndërsa e krahason refuzimin e Francës, njësoj sikur diktatura ti refuzonte të drejtën e studimit një gjimnazisti, që kishte mbaruar maturën me rezultate të mira.
“Procesi i anëtarësimit në BE është një proces i rëndësishëm. Refuzimi nga Franca është njëlloj sikur diktatura i refuzonte të drejtën e studimit një gjimnazisti që kishte mbaruar maturën me rezultate të mira. Përfitoj ti shpreh mirënjohjen kancelares Merkel dhe qeverisë Gjermane për mbështetjen e jashtëzakonshme që kanë dhënë e po japin për hapjen e negociatave me BE.
Në të gjithë Shqipërinë ka keqardhje për refuzimin. Por ne jemi krenare që kjo nuk lidhet me zbatimin e detyrave të lëna. Këshilli i Evropës ka rekomanduar hapjen e bisedimeve. PE edhe 28 nëntor 2018 ka miratuar rezolutën në favor. Por Këshilli i PE nuk e miraton hapjen e negociatave. Sikurse Shqipëria ka ndryshuar Kushtetutën për të reformuar sistemin e drejtësisë Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin.
Justifikimi i Francës është i pabazuar. Nuk krahasohet numri i azilantëve shqiptarë në Francë me numrin e azilantëve në Gjermani. Dhe gjej rastin të falenderoj parlamentin Gjerman për vendimin pro Shqipërisë”, tha Balla.